Marsin e kaluar u futëm në karantinë me shpresa të larta, të bekuar nga padija dhe falë dëshirës për ta kaluar sa më shpejt këtë periudhë quasi-apokaliptike, quasi-distopike që na gjeti. Mbaj mend që në fillim mendoja ja dy jave, ja një muaj, po i marr si pushime të detyruara, si një “staycation” amerikan. Entuziazmi i këtyre “pushimeve” ishte i lartë në mëngjes dhe binte gradualisht gjatë ditës, për t’i lënë vend rëndesës së pasdites, me lajmet nga Italia dhe me numrat e infektimeve në Shqipëri, që atëherë ishin ende me një shifër. Pastaj vdekjet e para. Masat m’u dukën shumë të rrepta dhe më sollën në mend një autoritet diktatorial të trashëguar në të pandergjëgjshmen historike. Vija re që për disa këto shkaktonin reagime të kundërta, kur njerëzit dyndeshin nëpër dyqane në orarin e hapjes dhe qaheshin pastaj nëpër Internet për ata që nuk respektojnë masat, për masat, për qeverinë, për zotin e të birin. Jashtë shtëpisë shikonim njëri-tjetrin me dyshim, se papritur u bëmë të gjithë, qofshin familjarë, miq, komshinj a të panjohur kërcënim për shëndetin e njëri-tjetrit.
Muajin e dytë, për mua mbyllja u bë mbytëse. Pak nga pak edhe njerëzit e tjerë filluan ta shkelnin kur mundeshin. Gjobat u vunë, pastaj u falën. Unë do të kisha dashur të kishte më shumë qartësim dhe ndërgjegjësim për situatën dhe pasojat, sesa kërcënim me ndëshkim, sepse ndëshkimi sjell rebelim më shumë sesa bashkëpunim. Megjithatë ja erdhi pranvera dhe dolëm nga izolimi. Në verë u dyndëm në plazhe, u puthëm dhe u përqafuam duke kapërdirë ndjesitë e fajit dhe për një moment të vogël bëmë sikur harruam. Pastaj infektimet u rritën prap, argetimet u mbyllën sakaq me orar policor dhe ngazëllimi i verës iku me të nxehtin.
Në vjeshtë e në dimër, numrat u rritën edhe më shumë. Vala e dytë – fundviti – vala e tretë. E ja ku jemi në përvjetor. Çfare ka ndodhur këtë vit që me shaka them se “nuk quhet”? Kjo fshirje e sforcuar nga kujtesa më lajmeron se çfarë ndodhi qe mjaftueshëm traumatike.
Përballja me realitetin është brutale dhe akoma nuk duket se situata po përmirësohet. Pasojat tani po bëhen gradualisht më të qarta. Ato që arrij të dalloj po rrekem t’i listoj e t’i analizoj më poshtë.
Çfarë kemi humbur?
Koha
Një koncept interesant biologjik e filozofik, shpejtësia e të cilit matet me llojin e përjetimit. Cfarë e shënjon kohën për ne njerëzit, përveç ritmit cirkadian dhe cikleve të tjera rregullatore biologjike është shumë e lidhur me ritualet e përditshme dhe strukturat sociale, të cilat edhe na mundësojnë të takohemi në një pikë. Ky vit duket sikur iku njëkohësisht shumë shpejt dhe tmerrësisht ngadalë. Ky perceptim mendoj që vjen nga frenimi i ritmit të zakonshëm të funksionimit social-ekonomik. Te gjithë jemi detyruar të përshtatemi me një regjim të ri dhe me një orar policor. Shumica e planeve janë prishur, janë shtyrë ose kanë ndryshuar. Kjo është një humbje kontrolli jo pak e vogël e që shkakton shumë ankth.
Prekja
Para se një foshnje t’i vijë shikimi, ajo i ndjen të tjerët nëpërmjet dëgjimit dhe prekjes. Prekja është një shqisë që deri tani e kemi marrë për të mirëqënë. Të prekurit është një nga mënyrat më natyrale për të shprehur dhe ndjerë dashurinë dhe afrimitetin me të tjerët. Në një kulture kaq taktile sa jemi ne shqiptarët, humbja e prekjes është gjithashtu një formë e humbjes së kontaktit me realitetin.
Liria
Mbyllja në një hapësirë për një kohë të gjatë e pa mundësi për të dalë është një nga torturat e përzgjedhura njerëzore, që e rezervojmë kryesisht për pjesën më shkatërruese dhe të rrezikshme të shoqërisë: të dënuarit për krime. Ndjesia e burgosjes dhe e humbjes së lirisë, sado ta ketë ndjerë secili nga ne është një tjetër përvojë rënduese e kësaj periudhe të çuditshme. Sa ka ndikuar humbja e sensit të lirisë është për t’u vlerësuar sipas rastit. Këtu kontakti me natyrën është një shërues i pazëvendësueshëm.
Lidhja me të tjerët
Imagjino sikur i gjithë njerëzimi të jetë shuar dhe ti je i fundit që mbijetove në rruzullin tokësor. Më mirë mos e imagjino. Desha vetëm të ilustroj tmerrin që asociohet me vetminë. Njerëzit janë qenie sociale, që nuk mbijetojnë dot pa të tjerët. Ndjesia e zgjatur e vetmisë dhe e izolimit është një nga përkeqësuesit më të mëdhenj të shëndetit mendor. Humbja e kontaktit me të tjerët shkakton vuajtje të mëdha.
Siguria
Frika e vazhdueshme se mund të sëmuresh apo të vdesësh, vetë apo njerëzit e tu është ushqyer këtë periudhë nga realiteti që shumë njerëz u sëmurën dhe vdiqën. Ankthi ka qënë dhe vazhdon të jetë kolektiv dhe me një fjalë kyçe: Covid. Patjetër që kjo ka rënduar çdo person që edhe me parë ka patur shqetësime dhe çrregullime nga ankthi.
Shpresa
Dëshpërimi është reagim normal njerëzor ndaj ndarjes dhe humbjes. Ata që fatkeqësisht kanë humbur një a më shumë persona të dashur këtë periudhë, ata që kjo periudhë i ka kujtuar humbje të mëparshme, ata që nuk kanë takuar të afërmit e vet për shumë kohë, jua ndjej dhimbjen. Gjërat mund të duken sikur nuk kanë më asnjë kuptim, vlerë apo kënaqësi. Jeta mund të duket e ngjyrosur me të zezë, bosh dhe e pashpresë. I kuptoj këto ndjesi. Për momentin, mbahuni fort tek ata që mund ta ndjejnë shpresën edhe për ju.
Paratë
Një tjetër formë e të ndjerit siguri dhe kontroll për vazhdimësinë e jetës dhe besimin tek e ardhmja është prekur nga situata e tanishme. Shumë njerez kanë humbur punën, shumë të tjerë kanë pësuar humbje financiare dhe ekoja mediatike e ekspertëve të ekonomisë se kohë të vështira na presin nuk janë të injorueshme.
Shëndeti
Kush është prekur nga Covid-19, në varësi të rëndesës së infeksionit dhe sëmundjes, ka pësuar disa humbje nga ana shëndetsore. Një nga aspektet më të vështira të Covid-19 janë pasojat afatgjata. Studimet flasin për një numër të konsiderueshëm rastesh tek të cilët Covid-19 ka lënë efekte afatgjata, si për shembull vështirësi në frymëmarrje, takikardi dhe lodhje. Problemet e kujtesës dhe të përqendrimit, vështirësia në proçesimin hapsinor dhe në vendimarrje grupohen në mjegullën konjitive nga prekja e trurit. Prekje më të rënda të trurit përfshijnë probleme më serioze si pagjumësia, ankthi, depresioni, psikoza, deliriumi dhe ideacionet e vetëvrasjes. Efektet e Covid-19 në shëndetin mendor dhe jo vetem atë fizik, vijnë si pasojë e inflamacionit sistemik dhe mungesës së oksigjenimit të trurit dhe përbëjnë ndërlikime, të cilat i mbivendosen problemeve nga ndryshimet e jashtme të përmendura më lart.
Normaliteti
Humbja e sensit të normalitetit shkakton hutim, çorientim dhe vështirësi për të organizuar ditën në mënyrë funksionale e produktive. Ky çorientim i zgjatur në kohë, bën të shtohet ndjesia e përkohshmërisë dhe paqendrueshmërisë, si edhe nevoja për t’u sjellë herë pas here me pakujdesi dhe neglizhencë ndaj rregullave kundër përhapjes së Coronavirusit. Sigurisht që nuk është e lehtë që këto rregulla të ndiqen me përpikmëri të plotë, 100% të kohës, ama pas një viti, duhet të ishin bërë zakon tashmë. Dhe fakti që nuk janë bërë për një pjesë të madhe tregon jo vetem që nuk janë ndjekur masivisht, por edhe vë në dukje se sa shumë ndikojmë tek njeri-tjetri në mënyrë të pandërgjegjshme. Nëse shumica do t’i zbatonin rregullat plotësisht, ata që nuk po e bënin do të ndjenin shtysën të përshtaten dhe t’i zbatojnë po ashtu. Normaliteti i mëparshem ka mundësi të mos kthehet më ose të kthehet disa vite më vonë. Normaliteti i mëparshëm ishte gjithashtu një iluzion. Kështu që le të përshtatemi sa më mirë të mundemi me normalitetin e tanishëm, sado të pakëndshëm dhe të imagjinojmë se si do të krijojmë një normalitet të ri.
Me gjithë këto humbje që kemi pësuar dhe që e bashkojnë të gjithë njerëzimin kudo në botë, si do bëjmë për ta përballuar këtë traumë kolektive?
Nuk është e para dhe as e fundit dhe të paktën përvoja ndihmon. Pandemitë janë ndër ngjarjet e listuara në emergjencat botërore në të njëjtin grup me luftërat dhe fatkeqësitë natyrore. Tek ne erdhi fill pas një tërmeti që vrau e dëmtoi njerëz dhe shkatërroi shumë shtëpi, pra menjëherë pas një traume tjetër kolektive. Plagët janë ende të fresketa dhe fati është indiferent ndaj vuajtjeve që shkakton. Pra çfarë mund të bëjmë?
Së pari, pranimi i realitetit:
Vjen në një spekter me njërin ekstrem mohimin e plotë (deluziv) të ekzistencës së pandemisë, seriozitetit të saj dhe shumë përcaktorëve të tjerë të rëndësishëm. Ky është një qendrim rrezikues dhe i frikshëm, që mund të ketë pasoja të rënda, por është e kuptueshme që ndonjëherë është e vështirë, madje e pamundur, për psikën të përballojë një kërcënim kaq të madh e të menjëhershëm, kështu që shumë njerëz me lehtësi të natyrshme, thjesht nuk e pranojnë, e mohojnë ose minimizojnë rrezikun, e marrin me shaka, thurin e stërhollojnë teori konspirative ose mbahen fort te shpresa jorealiste se gjërat do të normalizohen shumë shpejt.
Në të njëjtin spekter ilustrativ, ekstremisht në qendër, gjejmë një ankth të përshatshëm me situatën: njerëzit e tillë informohen, marrin masat që mund të merren, bëjnë gjërat që kanë bërë më përpara dhe që mund të bëjnë ende, pra ruajnë qetësinë, mbajnë një lloj rutine të përditshmërisë, tregojnë fleksibilitet të lartë dhe përshtatje me rregullat e reja dhe shpresojnë brenda një standarti realist.
A ekzistojne njerëz të tillë? Unë nuk kam takuar ndonjë, por le të themi, për hir të teorisë dhe të këtij ilustrimi, që kështu e imagjinoj unë një qendrim të shëndetshëm, mbase ideal. Shumica e njerëzve që kanë këtë qendrim, sigurisht që kanë përjetuar rritje të ankthit, mendime të vazhdueshme e përsëritëse lidhur me Covid-19 shoqëruar me kompulsione a veprime ritualistike që qetësojnë ankthin. Të tjerë mund të kenë ndjerë pasoja si pagjumësia, ushqimi i çrregullt, vështirësia në përqendrim dhe simptoma fizike të ankthit. Kur intensiteti rritet edhe më shumë, mund të shfaqen krizat e panikut, të cilat na çojnë në polin e kundërt, ku takojmë hipervigjilencën, paranojën dhe fatalizmin. Të gjitha luhatjet në këtë spektër janë normale. Problemi është kur ndihemi të ngecur nëpër cepa.
Si t’ia bëjmë për ta përballuar ankthin? Rregullat dhe strukturat ndihmojnë për t’a përmbajtur ankthin e një pasigurie të tillë të thellë. Kur rregullat dhe strukturat e jashtme bien, është mirë të vazhdojmë të mbajmë ato rregulla dhe struktura që kemi në kontroll. Fiziologjikisht: gjumi, ushqimi, lëvizja dhe kontakti social janë shumë të rëndësishme për të krijuar ndjesi sigurie dhe rehatie.
Pushimi dhe gjumi me orar të rregullt, ushqimi i shëndetshëm, sporti ose lëvizje si ecja, përveçse mbajnë trupin të shëndetshëm, përmirësojnë edhe shëndetin mendor, balancojnë hormonet dhe neurotransmetuesit që na japin ndjesinë e mirëqënies.
Kontakti social duke ruajtur edhe masat e distancimit është po aq i rëndësishëm. Biseda me miq e të afërm në telefon ose me video, kur nuk është e mundur t’i takojmë, ndihmon për të zbutur ndjesinë e tmerrshme të izolimit dhe të vetmisë. Për më tepër, me njerëzit me të cilët jetojmë apo takohemi, të kaluarit kohë duke folur ballë për ballë dhe duke u parë në sy, është një nga gjërat më të shtrenjta dhe më me vlerë. Nëse është e mundur të shpreheni lirshëm për ndjesitë dhe vështirësitë që po hasni dhe të dëgjoni dikë tjetër të hapet për të vetat, do të forconi lidhjen emocionale dhe njerëzore që sjell shumë lehtësim.
Filmat, librat, muzika, artet e çdo forme dhe të shkruarit e lirë apo në ditar janë po ashtu mënyra shumë të mira për të qendruar në kontakt me veten, për të kuptuar nevojat dhe emocionet dhe për t’u argëtuar. Gjithashtu pasionet dhe aktivitetet që ju japin kënaqësi eksplorojini ndoshta edhe më shumë se përpara, për të krijuar një ndjesi lehtësie që kundërshton rëndesën dhe seriozitetin e periudhave kaq të vështira. Nëse ka diçka që ju ka ekzaltuar, ju ka ngjallur pasionin, ju ka bërë për të qeshur gjithmonë, bëjeni tani.
Së dyti, kur ndiheni që nuk arrini t’a menaxhoni më jetën si përpara dhe mënyrat e mësipërme nuk ju ngjan që mjaftojnë, mos hezitoni të kërkoni ndihmë profesionale. Burimet ekzistojnë dhe janë të shumëllojshme e cilësore. Në faqen e nukjevetem.al ofrohet këshillim falas nëpërmjet chatit dhe letrave. Nëse mendoni se keni nevojë për terapi apo mjekim, gjeni një specialist. Të kërkosh ndihmë profesionale tregon guxim, përgjegjshmëri dhe kujdes për veten.
Së fundi, gjithçka është kalimtare. Periudha e tanishme është jashtëzakonisht e vështirë. Është kalimtare, ama efektet që po lë janë afatgjata dhe askush nuk e di si do të jetë e ardhmja, ndonëse flitet për një normalitet të ri. Unë shpresoj që ky normalitet i ri të përmbajë një kontakt më të thellë me veten për secilin nga ne, një ndërgjegjësim më të lartë për realitetin, shoqërinë, ambientin, vuajtjet, vështirësitë dhe zgjidhjet e problemeve globale, si edhe një vlerësim më të madh për kënaqësitë e vogla të jetës dhe për të gjithë personat dhe privilegjet që ende gëzojmë e për të cilat ndjejmë mirënjohje.
Normaliteti i ri mbart dhimbjen, lodhjen dhe pasigurinë e kësaj periudhe. Duhet të përballemi me pasojat e humbjeve: të kontrollit, të lirisë, të identitetit, të komunitetit, të edukimit, të shëndetit, të punës, të sigurisë, të njerëzve. Te gjithë, kush më shumë e kush më pak, ka humbur diçka. Është normale ta qajmë atë që kemi humbur, ta ndjejmë mungesën dhe ta vuajmë pikëllimin. Që të mund të vazhdojmë përpara është e domosdoshme ta ndjejmë dhimbjen.
Është normale që të ndihemi të lodhur, nga konfuzioni, frika, ndryshimet e vazhdueshme dhe të papritura. Është e nevojshme t’i japim vetes më shumë leje dhe liri për të pushuar, për të gjetur mënyra të shëndetshme për t’u shkëputur nga barra e tepërt. Puna, lajmet, dyshimet, planet mund të presin pak sa të rifitojmë kthjelltësinë dhe qetësinë për t’i përballuar sërish. Është normale të bëjmë ca hapa të pasigurt, sikur po mësojmë të ecim sërish si për të parën herë. Me durim dhe me ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme edhe kjo do të kalojë dhe do ta kujtojmë.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Nuk e gjeta veten në asnjë rrjesht , por kjo zdo të thot asgjë ,sepse, artikulli është shumë shterues dhe goxha frymëzues për këdo që nuk është si mua .