02.10.2017
Përshendetje e kam një problem Jam e fejuar dhe me te fejuarin grindem shpesh.
Shpesh pa ndonje Argument thjesht behem me nerva. Humori me ndryshon shpesh nuk di t jam e gzushme
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje. Deshiroj te te jap nje mendim per shqetesimin tend. Perpiqu te analizosh situaten me kujdes dhe te shohesh nese ndodh te nervozohesh vetem me te fejuarin apo ne pergjithesi me kedo. Nese ve re se ndodh vetem kundrejt te fejuarit, ka dicka qe te shqeteson ne marredhenien me te, prandaj ben mire ta diskutoni se bashku, kjo gje do te ndihmonte shume.
Përshëndetje. Nuk është shumë e lehtë ti përgjigjem shqetësimit tënd bazuar në kaq pak sa përshkruan. Grindjet brenda çiftit mund të jenë sa diçka krejt e zakonshme po aq edhe tregues që marrëdhënia mes dy partnerëve ka probleme thelbësore ose të paktën probleme të komunikimit. Pra, ti mund të grindesh shpesh, pasi në përgjithësi grindesh me njerëzit e afërt dhe nervozohesh lehtë ose sepse ka diçka në këtë marrëdhënie që të shkakton parehati. Ti mund ta dish më mirë se kushdo se ku gjendet origjina e këtij problemi. Disa pyetje që mund të të ndihmojnë në këtë drejtim janë:
Nga sa ti vë re ose të venë në dukje të tjerët, të qenët e grindur, ndryshimi i humorit dhe mungesa e gëzimit ndodh vetëm me të fejuarin apo edhe në marrëdhënie me njerëz të tjerë, në situata të tjera?
Sa kohë ka që është bërë problem për ty kjo sjellje? A e konsideron problem edhe I fejuari yt këtë nervozizmin dhe mungesën e gëzimit tënd?
Sa kohë keni që jeni fejuar (ose që jeni bashkë në këtë marrëdhënie) dhe a ishte njësoj edhe në fillim të fejeses?
Ishit të dy dakord të fejoheshit apo ishte kërkesë e prindërve? Keni plane për tu martuar së afërmi?
A ndryshoi shumë jeta juaj pas fejesës? A bën më gjërat që bëje dhe përpara?
Ndonjëherë, fejesa ashtu si martesa apo dhe fillimi I një lidhjeje përbëjnë një ndryshim jo pak të vogël, ndaj të cilit duhet të përshtatesh dhe përshtatja është proces më vete që ndikon dhe te humori dhe te toleranca për të duruar.
A ka patur ndonjë moment, ngjarje në marrëdhënien tuaj që të ka bërë të ndihesh keq, e zemëruar, ose në jetën tënde në përgjithësi?
Fakti që të vjen të grindesh edhe pa shkak tregon që ka diçka që nuk të lë rehat, ose për një zemërim të fshehur qoftë në lidhje me këtë marrëdhënie qoftë në aspekte të tjera të jetës tënde. Ndoshta nuk ndihesh mjaftueshëm e lumtur me këtë person, ose ka gjëra që ti do të doje të ishin ndryshe, por nuk e ke të lehtë t’i shprehësh dhe për pasojë grindesh “pa shkak”?
Mund të vazhdoja të rendisja edhe pyetje apo arsye të tjera hipotetike, por çdo rast është unik dhe spjegohet me aspekte individuale të çdo personi. Shpresoj që disa prej tyre të të ndihmojnë për të kuptuar më mirë se çfarë është duke ndodhur me ty.
Mos hezito të shkruash sërish për të kuptuar më tej dhe për të përmirësuar mënyrën si ndihesh apo marrëdhënien tënde me të fejuarin.