Maturante 04.09.2020
Pershendetje. Jam nje maturante e cila jam ne ankth se cfare do te zgjedh per te vazhduar ne universitet. Ne gjimnaz me ka pelqyer shum lenda e kimis dhe mendova qe do zgjidhja dicka ne fushen mjeksore. Midis shume zgjedhjeve nuk di cte bej. Me ndaloi nje problem qe une kam,un kam vullnet ,deshire por jo kapacitet dhe mundesi. Dua qe te shkoj tek nje universitet qe i ka lendet t gjitha italisht,por une nuk e di fare si gjuhe dhe e di qe fo ta kem shum t veshtire per ta mesuar. Nuk fokusohem apo ti kap gjerat direkt por me shum vonese. Deshira ime,zeri i brendshem me thot te shkoj aty por ky problem me behet penges. Si me sugjeroni?
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
E kuptoj që ke një dilemë të rëndësishme brenda vetes. Nga njëra anë, është ajo që të pëlqen dhe
që ke dëshirë të bësh; nga ana tjetër, ajo që ke kapacitet dhe mundësi për të bërë. Mesa duket,
dëshira dhe mundësia janë në konflikt me njëra-tjetrën dhe kuptoj që ky konflikt po të trazon
emocionalisht dhe po të mban pezull.
Në fakt, ndonjëherë gjërat që duam të bëjmë dhe ato që mundemi të bëjmë janë të ndryshme nga
njëra-tjetra dhe gjetja e drejtimit të duhur duket se kërkon kohë dhe punë me veten, por edhe
ndihmë nga të tjerët.
Zgjedhja e degës në universitet mbetet një nga zgjedhjet më të rëndësishme të jetës, pasi lidhet
fort me identitetin vetjak dhe atë profesional. Zgjedhja e një drejtimi profesional që do të
marrësh në jetë nuk është një proces i thjeshtë (jo vetëm për ty, por për shumë të rinj të tjerë).
Para se të zgjedhësh, është e nevojshme të njohësh realisht aftësitë dhe prirjet e tua, kapacitetet
dhe mundësitë e tua, të cilat i ke treguar gjatë viteve të shkollës, por edhe dëshirat dhe qëllimet e
tua në jetë (të cilat lidhen me trashëgiminë – p.sh profesionin e prindërve, por edhe me edukimin
– mesazhet që ke marrë nga të rriturit dhe personat e rëndësishëm rreth teje për jetën).
Shoh që njëra mundësi zgjedhjeje (dega në italisht) kërkon aftësi që janë përtej aftësive të tua
aktuale. Për të marrë këtë drejtim, duhet të studiosh paralelisht gjuhën dhe degën përkatëse dhe ti
e di që kjo kërkon shumë punë. Pyet veten: sa gati ndihesh për këtë gjë dhe a ndjen se je në
gjendje për të përballuar në afatgjatë një ngarkesë të shtuar? Ndonjëherë i japim vetes shumë
ngarkesë për të arritur diçka që e duam (ose që e duan edhe të tjerët përreth nesh), por që thellë
brenda vetes e dimë se kjo ngarkesë mund të jetë shumë e vështirë për t’u përballuar (si i ke
përballuar deri tani ngarkesat në mësime dhe situatat e tjera të vështira jetësore, nëse ke pasur?)
Ndonjëherë, këto gjëra nuk janë aq të qarta, sidomos në moshë të re. Në këto raste nevojitet një
proces këshillimi (ndoshta një këshillim karriere me një profesionist për të kuptuar më mirë
burimet e tua dhe prirjet, si dhe për të qartësuar disa gjëra brenda teje).
Gjithashtu, të këshilloj të flasësh me prindërit, familjarët dhe me persona të tjerë që mund të të
orientojnë në këtë zgjedhje. Merr mendime nga persona më të rritur. Ki parasysh që cilado
zgjedhje ka pluset dhe minuset e veta. Kur vjen puna për të zgjedhur degën në universitet,
maturantët këshillohen me njerëz të tjerë, sidomos kur nuk janë të qartë se ku mund të shkojnë.
Ne fund, kryesorja në gjithë këtë situatë, është të jesh në kontakt me dëshirat dhe qëllimet e tua,
duke i vlerësuar edhe burimet e mundësitë, por edhe pengesat. Nëse ka pengesa në rrugën që do,
bëhu gati për t’i përballuar këto, në mënyrë që pengesat të mos bëhen edhe më të mëdha rrugës
(p.sh., ka njerëz që zgjedhin një degë “të vështirë” dhe me shumë punë dhe vullnet ia dalin
mbanë, por ka edhe të tjerë që bëjnë të njëjtën zgjedhje dhe gjatë rrugës shohin dhe kuptojnë që
kjo zgjedhje nuk ishte e duhura për ta, për shkak të vështirësive të mëdha jo vetëm akademike,
por edhe emocionale). Uroj që t’i japësh pak kohë vetes për t’i peshuar gjërat dhe për t’u
këshilluar me njerëz të tjerë që mund të të ofrojë ide dhe argumente pro dhe kundër degëve që ti
ke në listë.
Shpresoj që nga bisedat me veten dhe të tjerë të jesh më e qartë dhe të bësh një zgjedhje që do të
të kënaqë tani, por edhe më vonë!
Gjithsesi, sido që të jetë zgjidhja, merr parasysh që rrugës gjërat edhe mund të ndryshojnë, ti
mund t’i shohësh gjërat me një sy tjetër, duke u rritur; dhe mund të vijë një moment që edhe
mund ta rishikosh zgjedhjen tënde (ka njerëz që kanë nisur një degë dhe gjatë studimeve kanë
kuptuar që ajo nuk ishte dega e përshtatshme për ta dhe e kanë ndryshuar).
Ndaj, mirë është të lihet gjithmonë një dritare e hapur në varësi të rrethanave jetësore që do të
krijohen dhe ndryshimeve që ti do të pësosh si person dhe për të qenë fleksibël me çdo zgjedhje
që do të bësh.
Të uroj suksese!
Lediona Braho
Psikologe Klinike