Këshilla/Blog

12.02.2016

Pershendetje.. Po jua shpjegoj me pak fjal. Jam 20 vjece. Jam e fejuar. Jam shum e lumtur me partnerin dhe me familjen e tij. Problemi qendron tek un. Kam luhatje humori, jam e padurushme dhe shum nevrike. Problemi qe me shqeteson me shum eshte sepse un kur jam vetem vendos muzik dhe leviz neper shpi flas me vete “luaj” me veten time. Imagjinoj sikur ka persona te tjer flas me ta, krioj situata me mendjen time dhe i veproj leviz ngrihen ne kemb imagjinoj flas neper shpi. Kjo me shqeteson shum. E kam ber jte gje qe ne moshen 15 vjece dhe sado e fejuar vazhdoj akoma. Ju lutem me ndimoni.

  1. Ola says:

    Ju lutem ktheni pergjigje

  2. Una says:

    Ju lutem me ktheni pergjigje sepse jam shum e shqetesuar.

  3. Stafi Nuk Je Vetem says:

    Pershendetje,

    Te falenderojme qe na ke shkruar. Te lutem kij pak durim per te marre pergjigjen. Pyetja i eshte derguar ekspertit perkates, dhe pritet pergjigja e tij. Te ftojme te lexosh rregullat e faqes per te kuptuar pak me mire funksionimin.

    Gjithe te mirat,
    Stafi i Nuk Je Vetem

  4. Anonymous says:

    Faleminderit

  5. Anonymous says:

    Pershendetje kur kthehet pergjigja??

  6. Stafi Nuk Je Vetem says:

    Pershendetje,

    Pyetja juaj i eshte derguar tashme ekspertit. Ne presim pergjigjen e tij, dhe do t’ju shkruajme menjehere, kur ajo te jete gati.
    Ju lutemi, te tregoni durim.

    Ju urojme gjithe te mirat,
    Stafi i Nuk Je Vetem

  7. Denisa Ndreka says:

    Përshëndetje,
    Kuptoj që situata në të cilën ndodheni është shqetësuese.Nga sa përshkruani, duket që shfaqni zemërim, padurim , humor të paqëndrueshëm dhe një lloj shkëputje në një botë të krijuar nga ju. Duket që kjo ju bën të ndiheni edhe në faj kundrejt personave që keni pranë, duke e konsideruar veten si “problemi”. Ju na keni shkruar për ndihmë dhe ky është një hap pozitiv.
    Në rastin tuaj është e rëndësishme të njihet origjina e problemit. Një informacion më i zgjeruar do të ndihmonte të qartësohej situata juaj ( nëse jeni trajtuar ndonjëherë për ndonjë gjëndje të caktuar/ sëmundje ?; Si janë episodet e luhatjes së humorit?; Kur kanë filluar këto shqetësime? Cilat janë situatat që nxisin zemërim/padurim nga ana juaj ?)
    Në vazhdim të letrës , ju përshkruani skenaret imagjinare ku përfshiheni. Me aq informacion sa ju ndani kam të vështirë të jap një përgjigje të plotë dhe përfundimtare për çështjen tuaj. Duket si një formë disocimi( një mekanizëm mbrojtës ku individi shkëputet nga bota reale për shkak të dhimbjes që ajo i shkakton, dhe futet në një botë të krijuar nga ai, i pa shqetësuar nga mendime, emocione dhe kujtime të dhimbshme për të) Ky lloj mekanizmi mund të vihet re në rastet e traumave.
    Megjithatë, për të kuptuar funksionin e tyre përpiquni t’ju përgjigjeni pyetjeve të më poshtme: Si ndiheni gjatë përfshirjes në këto skenare? Çfarë ju nxit të krijoni një të tillë? Sa zgjasin këto skena? Cilët janë personazhet që përfshihen dhe cilat janë temat që diskutohen aty? Çfarë situatash krijoni? Ju thoni që një sjellje e tillë ka nisur që në moshën 15 vjeçare, a është rritur shpeshtësia e tyre me kalimin e kohës? Mbani mënd skenarin e parë që keni krijuar? Ka ndodhur ndonjë ngjarje e veçantë në atë kohë në jetën tuaj? Si ndiheni nëse nuk përfshiheni në skenare të tilla?
    Së fundmi,duke kuptuar gjëndjen në të cilën jeni, do t’ju rekomandoja takim me një psikolog për një vlerësim më të hollësishëm.
    Faleminderit për pyetjen!
    Denisa Ndreka, Psikologe

    1. Anonymous says:

      Shum faleminderit per sqarimin tuaj.. Un ndihem shum mir kur hy ne ate bot por kur kujtohem them cfar po bej keshtu ateher ndihem shum keq dhe shkeputem ulem, kur per pak me vjen te perfshihem ne te dhe filloj serish nga e para deri ne moment qe merzitem dhe shkeputem. Nuk e kuptoj cfar me perfshin kur jam e merzitur po e po qe perfshiem po dhe ne dit qe jam e lumtur e gezuar perfshiem. Keto skena zgjasin nje ore e lej u lem filloj prap mund te zgjasi per gjys ore ulem. Personazhet jan te ndryshem mund te perfshij shoqerin e gjimnazit me shoqerin qe e kam pas e skam me kontakte, por perfshij dhe situata me te fejuarin tim qe shkoj shum mir. Krijoj situat sikur jemi te lidhur e me ngacmon nga e para. Ceshtja kryesore eshte se un jam me e bukur dhe vishem me bukur ne kte bot. Skenaret e par dhe te gjith me radh qe behen jan se un jam ndryshe aty. Jam epiqendra e klases me e bukura me e mira. Rreth ksaj kan qene trillimet e mua. Kur jam te shpia e te fejuarit shkoj ne tualet imagjinoj nje gje shpejt luaj nje rol qe zgjat me sekonda por qe nuk zgjat shum atje. Ne shpin time jam vetem ne shpi dhe zgjasin. Nuk jam keshillar e as vizituar ndonjeher. Pa mundesia e lekve se jam studente zdo me besonte kush po tjua tregoja historin. Do ju dukem si e cmendur. Ju lutem me ndimoni ju me aq sa mundeni. Mjaftojn keshillat. Me vjen e turp se jam dhe e fejuar dhe bej kto lojra por smund te rri.

  8. Denisa Ndreka says:

    Përshendetje,
    Nga informacioni kuptoj që këto skenare ju bëjnë të ndiheni e vlerësuar, e dëgjuar dhe në vëmëndjen e partnerit dhe miqve. Duket se këto janë nevoja që nuk arrini t’i plotësoni në jetën tuaj reale. Por nevoja për t’u ndjerë në një mënyrë të caktuar ( e vlerësuar psh) duket shumë e fortë dhe ju shtyn të përfshiheni në imagjinatë, aty ku gjërat mund t’i ndërtoni ju vetë. Kështu është krijuar një cikël ku ju i ikni realitetit për të hyrë në fantazi aty ku dhe merrni ndjesi pozitive që nuk i ofron realiteti. Këto ndjesi pozitive dhe nevojat , mund të jenë ato që përforcojnë ciklin i cili bëhet i vështirë për t’u thyer.
    Ju ftoj të mendoni për mënyra se si mund të merrni nga realiteti ato për të cilat keni nevojë. Duke reflektuar mbi pyetjet e mëposhtme ju mund të ndihmoni veten duke u përfshirë në disa ndryshime.
    Me çfarë merreni gjatë ditës? A ndodh të përfshiheni në skenare kur jeni e angazhuar?A keni miq ? Nëse jo, ç’ju pengon? Mbase mund të punoni me aftësitë sociale, të ndiqni aktivitete grupi, të përfshiheni në marrëdhënie me miqtë që nuk i takoni shpesh.
    Cilët janë ditët që nuk përfshiheni në skenare?Çfarë ndodh ndryshe në ato ditë? Identifikoni elementët që ju bëjnë të mos përfshiheni në skenare. Dhe kur t’i keni këto element, përdorini edhe në ditët e tjera. Këto element mund t’ju ” mbrojnë ” nga përfshirja në skenare.
    Çfarë ka ndryshuar në marrëdhënien me të fejuarin nga koha kur ishi të lidhur? Çfarë ju pengon të diskutoni me të nevojat tuaja? Në jetën tuaj a ndiheni e vlerësuar, me vëmëndjen e nevojshme ? A ndiheni e ” bukur” siç përshkruani ju?
    Edhe shkrimi i detajuar i skenareve mund t’ju ndihmoj të kuptoni më mirë funksionin e tyre kur t’i lexoni më vonë.
    Shpresoj t’ju kem ndihmuar, edhe pse rasti juaj ka nevojë për një vlerësim më të thellë dhe për më shumë informacion.
    Një takim me një specialist do t’ju bënte të ndiheni më e qetë dhe të angazhoheni në zgjidhjen e problemit. Dua t’ju siguroj që një profesionist do të jetë i hapur e jogjykues ndaj çështjes që ju shtroni.
    Denisa NDREKA, Psikologe

    1. Anonymous says:

      Shum faleminderit per gjithcka. Ju uroj gjith te mirat.

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV