Këshilla/Blog

Ana 27.03.2023

Pershendetje,
Nuk di nga ta nis, cilin nga problemet te them m pare: mungesen e vetbesimit, perjetimin me teper sec duhet te situatave, faktin qe jam duke overthinking cdo gje, vetmine qe ndjej edhe pse rrethuar me njerez, apo faktin qe ndihem sikur askush nuk interesohet per mua dhe nuk mendojne te m bejne te ndihem m mire. Thjesht kuptoj qe nuk po mundem te jem e lumtur dhe e gjej veten duke u munduar te gjej probleme tek vetja ose te fajesoj veten per cdo gje, vetem qe tmos qesh. Nuk di pse nuk e meritoj te jem e lumtur e te qesh, pse nuk e lejoj veten? Ndihem ne faj nese jam e lumtur, nderkohe qe kam mjaftueshem gjera per te qene e trishtuar. Me duket se skam bere mjaftueshem ne jete dhe me duket vetja shume inferiore shume here kur krahasohem me t tjere. E di qe jam pak lemsh ne mendime dhe sdi cili eshte problemi m i madh qe kam por thjesht nuk kam mundesi te shkoj ne terapi prandaj nuk di sa mund te m ndihmoni me keshilla. Faleminderit shume per mundesine qe te pakten u shpreha, dhe faleminderit paraprakisht per pergjigjen dhe punen tuaj <3

  1. Bylyre Serjanaj says:

    Përshëndetje Ana,

    Faleminderit që i ndave këto probleme me ne.
    Është shumë e kuptueshme që je një situatë të vështirë dhe më vjen mirë që munde të na shkruaje. Ti nuk je e vetmja që mund të ndihesh kështu, aq më tepër në fillimet e 20-tave, edhe pse burimi i këtyre ndjenjave mund të jetë i ndryshëm për çdo individë. Unë do të doja të kuptoja më mirë problematikën tënde. Kjo është e vështirë edhe për ty, por të sugjerojë një teknikë që mund të të ndihmojë. Gjej pak kohë dhe në një ditar shkruaj gjërat që të shqetësojnë ty, ashtu siç ato vijnë. Pasi t’i kesh shkruar të gjitha shqetësimet/ problemet/ mendimet, vlerësoji nga 1 – 10 për nivelin e ankthit/ shqetësimit që ato kanë tek ti (1 = pak; 10 = shumë). Mund të ketë gjëra apo situata, për të cilat shqetësohesh po njësoj. Është ok, mund t’i vlerësosh me të njëjtin numër. Përpiqu të identifikosh se cilat janë ato gjëra që të shqetësojnë ty më shumë dhe për të cilat ti ke nevojë ti trajtosh sa më parë. Mund të më rishkruash për problemet e vlerësuara më shumë nga ti. Nuk do të jetë e lehtë por nëse merr kohë dhe i kushton vëmendje si ushtrim, mund të arrish të identifikosh problematikat e tua.

    Nga ana tjetër, më vjen keq që je duke fajsuar veten dhe zgjedh të mos jesh e lumtur. Cfarë faji ke bërë ti që nuk e meriton të jesh e lumtur? Cfarë faji ke bërë që meriton ta ndëshkosh veten kaq ashpër? Cilat janë këto gjëra për të cilat ti thua se janë të mjaftueshme për të qenë e trishtuar? Nëse ti dëshiron, të ftoj t’i ndash me ne.

    Në letrën tënde të radhës, do të preferoja të dija më shumë për ty. Cfarë studimi ke? Me çfarë merresh në përditshmëri? Cilat janë prioritetet e tua? Gjithashtu, kam dëshirë të kuptoj se në çfarë aspekti krahasoshesh me të tjerët? Cfarë funksioni ka krahasimi yt me të tjerët? Për çfarë të ndihmon? Shumë të rinj ndjejnë se nuk kanë bërë mjaftueshëm dhe krahasojnë vazhdimisht veten me dikë tjetër. Por, kujto se të tjerët dhe ti jeni në kushte/ rrethana dhe mundësi të ndryshme. Ji objektive dhe realiste për veten, apo për gjërat që të rrethojnë. Mundohu të flasësh me njerëz të besuar, miq apo familjarë. Shpreh mendimet dhe shqetësimet e tua. Kërko ndihmë nga njerëzit që të duan.
    Gjithashtu, unë jam këtu duke pritur letrën tënde të radhës me dëshirën për të të ndihmuar.

    Gjithë të mirat!
    Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.