18.11.2017
pershendetje jam nje djale 24 vjec banues ne vlore kam probleme na e kaluara me babain ka qene perderues heroine me shiring na ka sjell shum shqetesime gjate jetes babai,mua dhe mamas sot ai eshte rehabilituar por disa ngjarje nga e kaluara smund ti haroj dot prsh:mbas dritares se banjos kemi ballkonin aty ishte dhe vendi ku drogohej babai nje dite po lahesha ne banjo dhe pash qe kishte pak pluhur te dritarja dhe drejtoj ujin nga dritarja e banjos qe na krahu tjeter ishte babi i ulur dhe po pergatiste dozen ne ate moment uji deporton nga dritarja drejte tek dozat e heroines dhe ai si i cmendur erdhi me ulerima drejt meje aq keq vajti puna sa une sdola na banjo per na 1 ore nga frika.
jeta per mua ka qene si nje film po kam frik se fundi i filmit mbaron me djalin duke vdekur nga mbidoza dhe babain e rehabilituar tani si tja bej qe gjerat ne jeten time te jene me normale ose te pakten ne mendjen time………………………..per momenti jam student jam dhe ne pune
DESHA TE DI DOMETHENIEN E ATYRE ULERIMAVE QE DILNIN NGA GOJA E NJERIUT QE DIKUR E SHIHJA SI HERO………
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
I dashur letërshkrues,
Eksperienca që përshkruan është tepër e dhimbshme. Asnjë fëmijë nuk meriton të përballet me situata të tilla dhune, frike dhe zhgënjimi. Ti sot ende, edhe pas rehabilitimit të babit, vazhdon të përpiqesh të kuptosh çfarë ndodhte në mendjen dhe trupin e babit, ndërkohë që është detyra e çdo prindi të përpiqet të kuptojë se çfarë ndodh ne mendjen dhe shpirtin e fëmijës së tij. Kam përshtypjen se gjatë fëmijërisë tënde, por ndoshta edhe tani, të është dashur të kujdesesh për humorin dhe gjendjen shpirtërore të prindërve të tu, në vend që të kujdeseshin ata për ty. Jam e sigurt që mami ka vuajtur po ashtu, por ndoshta e përqendruar tek shpëtimi i burrit të saj nga varësia, të ka kushtuar më pak vemendje se ç’ke pasur nevojë. Nuk e di. Përpiqem të imagjinoj fëmijërinë tënde, dhe të shoh të vetmuar dhe të frikësuar.
Është e vështirë të rritesh me frikë. Kur rritemi me frikë të vazhdueshme, si në rastin tënd, gradualisht frika kthehet në pjesë integrale e qenies tonë dhe vazhdon të udhëheqë ndjesitë dhe sjelljet tona pa kuptuar.
Kam përshtypjen se kjo gjë po ndodh me ty. Kujtimet e hidhura dhe frika, ende të përndjekin dhe ende përpiqesh ti japësh kuptim sjelljes së babit. Ndoshta, duke i dhënë kuptim sjelljes së tij atëherë, ndjen se mundesh të restaurosh imazhin e tij brenda teje dhe të shpëtosh prej tij çfarë të mundesh. Ndoshta edhe pse je i gatshëm të heqësh dorë nga ideja e babait hero, do të doje të shpëtoje brenda teje babain që ke shpresuar se edhe pse i kufizuar nga varësia e tij, sërish të ka dashur dhe ende të do. Ndoshta ndjen se atëherë do të kesh më pak frikë.
Nuk e di nëse jam e gatshme të shpjegoj atë që ndodh me një person të varur nga heroina kur është në gjendje abstinence, pra kur kërkon dozën e rradhës. Jam e sigurt që në internet mundesh të gjesh informacion pa fund në lidhje me dhimbjen fizike dhe psikologjike që përjeton personi kur i mungon heroina. Dhimbja fizike është shumë e madhe dhe bota duket sikur i ulëret në kokë. Jam e sigurt që ti ke dëgjuar, lexuar, apo kuptuar diçka vetë. Nuk di nëse do të doja të ndaloja më gjatë në këtë çështje, pasi nuk dua që pa dashje të rrezikoj të shfajësoj babin tënd për gjithë dhimbjen që të ka shkaktuar.
Ndërkohë përpiqem të kuptoj pse është e rëndësishme për ty të kuptosh domethënien e ulërimave dhe sjelljes së babit. Nëse do ti kuptoje, do të ishe në gjendje ta shfajësoje? Do të ishe në gjendje të bëje paqe dhe të vazhdoje përpara me jetën tënde, shkollën, punën, marrëdhëniet e tua personale? Do mësoje të jetoje me më pak frikë? Për të gjitha këto, unë besoj se mund t’ja dalësh, por gjithashtu besoj se mund të kesh nevojë për mbështetje profesionale. Në një nga rreshtat e letrës tënde lexova frikën tënde se mos përfundon edhe ti i varur nga heroina. Ndonjëherë, kur frika dhe dhimbja është shumë e madhe, ne rrezikojmë të përfshihemi në veprime të cilat na ofrojnë arratisje dhe qetësi provizore (siç është përdorimi i substancave), por që në fakt krijojnë më shume dhimbje dhe vuajtje më pas. Ti që e ke kaluar një eksperiencë të tillë me babin tënd, e di se çdo të thotë varësi. Ti e di sa e gënjeshtërt është ajo qetësi e përkohshme. Ti e njeh ferrin dhe dhimbjen që shkakton tek të gjithë. Nëse ndjen rrezik për veten, kërko ndihmë profesionale. Bashke me një psikoterapist profesionist mundesh të përballesh me ndjenjat e tua të shumëfishta, të zemërimit, frikës, zhgënjimit, dhimbjes dhe të zbulosh ndjejat e dashurisë për veten, përkujdesjes dhe shpresës. Të mësosh të përballesh me përjetimet e dhimbshme pa iu shmangur atyre. Të mësosh të ecësh përpara duke përpunuar të shkuarën tënde dhe marrëdhëniet me prindërit,duke mos lejuar të përsërisësh të shkuarën e dhe njëkohësisht duke ndërtuar të ardhmen tënde.
Idashur letërshkrues, unë e besoj vërtetë se mund t’ja dalësh. Kërko ndihmë dhe lëre babain tënd të bëhet modeli yt për mënyrën se si ti NUK duhet të shpërdorosh jetën tënde. Lëre të të ndihmojë për këtë të paktën.
Të uroj kurajo dhe gjithë të mirat,
Blerta