05.08.2016
Pershendetje !
Problemi im qendron ne faktin qe e kam te veshtire te zej shoqeri. Une jam 19 vjec dhe momentalish nuk kam asnje shoqe . Te gjitha shoqet qe un bej ose do largohen vet nga une ose do bejne dicka qe mua sdo me pelqeje dhe do largohem vet nga ato por ne 99% te rasteve ndodh qe te largohen ato nga une. Cduhet te bej qe te kem nje shoqeri , pasi me duket sikur po stresohen se nuk kam asnje njeri me ke te flas pervec vetes :/ . Une jam nje vajze shum e ndrojtur dhe e kam shum te veshtir te komunikoj dhe ne rast se e bej sic jau thash te gjithe largohen nga un . E kuptoj qe kam dicka qe nuk shkon me mua duke qene se askush nuk me qendron me mua dhe te gjithe me tallin por me ndihmoni ju lutem se nuk e di cte bej .
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Faleminderit që na u drejtove për atë cfarë të shqetëson.
E kuptoj shqetësimin tënd dhe duket që është stresuese dhe e rëndësishme për ty.
Do të ftoja që këto situata të njohjes e relatimit me njerëzit përreth ti marrësh si sfida për të njohur veten si dhe për të njohur të tjerët, duke mos hequr dorë.
Në fakt marrëdhëniet formësohen pikërisht nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm e bashkëveprimit me të tjerët. Në këtë mënyrë të zhdërvjelltësohen më shumë aftësitë sociale, mprehtësia, inteligjenca për të njohur tjetrin, të tjerët dhe për të zgjedhur me kë duam të kemi marrëdhënie më të qëndrueshme, miqësore e të thella. Është i mësuari gjatë gjithë jetës.
Më e rëndësishmja nga e gjitha kjo është që mësojmë shumë edhe për veten, nëpërmjet të tjerëve. Por gjithashtu duhet patur parasysh edhe që jo të gjithë njerëzit do na pëlqejnë apo do i pëlqejme dhe kjo është shumë ok dhe duhet marr me shumë mirëkuptim.
Ti përmend në letrën tënde që ose njerëzit të largohen ose u largohesh. Do e kisha më të lehtë në rast se do kishe përshkruar një rast konkret, por pyetjet e mia për ty janë këto:
Përse janë larguar nga ty? Cfarë u ka pëlqyer te ty fillimisht e cfarë ka ndodhur më pas?
Pse në disa situata ti je larguar? Ke patur kurajon të zhvillosh një raport? U ke dhënë shansin njerëzve të të njohin realisht? Po ti u ke dhënë shansin njerëzve që ti njohësh pavarësisht se jo cdo gjë mund të te pëlqeje te ta?
I bëra këto pyetje për të të ftuar ty të reflektosh për situatat konkrete dhe jo duke përgjithësuar cdo situatë. Ndonjëherë gabimi që bëjmë është që kur s’na ecën dicka, e marrim negativisht edhe dicka tjetër që del e duke menduar negativisht, shprehim mosbesim ose besim të ulët e emocionalitet negativ. Do të thotë që përmbushim e konkretizojmë me mendimet a veprimet tona, frikërat që ne kemi.
Unë do të këshilloja tu kthehesh marrëdhënieve të mëparshme e komunikimit me njerëzit e mbase edhe ti pyesësh se cfare u pëlqente e cfarë i largoi nga ty.
Besoj se disa prej tyre do të kthejnë përgjigje. Mbase kjo të ndihmon të kuptosh më shumë.
Gjithashtu është mirë të gjesh ato që janë pikat e tua të forta të personalitetit e aspektit social dhe të mësosh ti përdorësh ato. Edhe pak ironi ose vetironi ndihmon.
Më e rëndëishmja nga e gjitha kjo është që ti je në një rrugëtim duke njohur veten (nëpërmjet reflektimit e nëpërmjet marrëdhënieve me të tjerët) e me dëshirën për tu përmirësuar në mënyrë që të relatosh e lidhesh shëndetshëm me të tjerët.
Sic e përmenda më sipër kjo realizohet nëpërmjet të provuarit, komunikimit, reflektimit, gjetjes së besimit te vetja, pikave të forta të tuat.
Mbase s’do jetë shumë e lehtë por besoj se do shkakthtësosh shumë aftësi te vetja, edhe një nga këto edhe ajo e te pranuarit që jo të gjithë detyrimisht na pëlqejnë.
Të uroj rrugëtim të mbarë e miqësi të mirë,
Me respekt
Alma Guma