Këshilla/Blog

04.05.2018

Problemi im dhe i familjes time eshte BABI, personi qe supozohet qe duhet te na mbroje,te na mbeshtese dhe te marre vendimet me te mira per familjen e tij….Por kjo nuk ndodh ne familjen time. Ai thelle eshte nje njeri i mire,por eshte i miri i botes dhe i keqi i familjes se vete.Eshte nje njeri i shkaterruar nga pija,nga e cila nuk pranon te heqe dore,i cili nuk do te punoje dhe ne shtepi vetem zihet per cdo gje.Ne femijeve nuk na ka vleresuar kurre…edhe pse arritem me shume veshtiresi te ecnim perpara pa ndihmen e tij, u shkolluam,u futem ne pune,po ndihmojme familjen e nuk na tha kurre nje fjale te mire.
Ka ardhur nje pike ku na eshte bere pengese per te ecur perpara.Nuk e kemi lene kurre dhe pse shpirti na ka plasur,sepse ne e duam pavaresisht cfare ai na ka bere,,,por duket se vuajtjeve spo i vjen fundi.Kur ishim te vegjel mami smund te ikte e te na rriste e vetme,por tani ne jemi te rritur tashme mund ta marrim me vete e babin ta leme te beje jeten e tij,sepse fundja ai seshte kurre me ne.Eshte dicka shume e veshtire per ta thene apo bere.Ne kete moment nuk me intereson me se cthone njerezit,se fundja nuk na e shtrine kurre doren per te na ndihmuar.Me intereson vetem qetesia e familjes time.Cfare duhet bere ne kete rast?Si i trajtojne psikologet keto lloj problematikash?A ka te tjere qe kane pasur te njejtin problem dhe kane gjetur zgjidhje? Faleminderit

  1. Ana says:

    Pershendetje
    Jam nje lexuese e rregullt e pyetje ne kete faqe sepse shpesh e gjej veten tek to dhe kuptoj me mire problemet jo vetem te miat po dhe te njerezve prane. Dua te te them qe te perpiqesh te kuptosh babin tend. Ashtu sic thua dhe ti, ai eshte i miri i te gjitheve e i keqi familjes. Besoj se sic do prind, ai ju do shume dhe pavaresisht se nuk ju ka mbeshtetur e ndihmuar ne shume momente, ju vazhdoni te jeni drita e syve te tij. Te kuptoj sepse kam pare nga afer situate te tilla, ku babai pi, behet agresiv e te nesermen kthehet e kerkon falje, e me koken ulur kupton se ka bere gabim por nuk heq dot dore. Mosha dhe vitet e tera drejt vesit te alkoolit e bejne dhe me te veshtire qe ai te largohet nga ajo e keqe dhe te jete i miri i te gjitheve. Ngushellimi tek nje gote behet I domosdoshem kur problemet behen te paperballueshme e lehtesisht kthehet ne nje ves nga I cili dhe ai vete e kupton se eshte zhytyr thelle.
    E kuptoj se pesha e viteve me po te njejten situate cdo dite ne shtepi eshte bere e paperballueshme, e une nuk mund te te jap dot nje zgjidhje si me magji per kete, por ndjej shume te te them se pavaresisht vendimit qe do te merni per ti qendruar prane , apo per ta lene te beje jeten e tij, kujto gjithmone se ai eshte babai yt. Fundja, prindin nuk e zgjedhim ne.
    Uroj shume qe gjerat te permiresohen dhe ne familje te gjesh perseri qetesine qe te mungon prej kohesh.

  2. Ermal Azisllari says:

    Përshendetje dhe faleminderit që ke zgjedhur të ndash me ne problemin tend. Besoj se nuk është e lehtë të gjesh kurajon e ta ndash me të panjohur vështirësitë që keni në familje, prandaj të përgëzoj për forcën që shfaq.

    Nga sa shkruan duket se situata jo e shëndetëshme familjare me babain ka vite që vazhdon dhe se ju si fëmië jeni përpjekur të merrni rolin e prindit duke marrë përgjegjësi për ta ndihmuar ekonimikisht, emocionalisht apo dhe në forma të tjera familjen tuaj. Fatkeqsisht është dicka që ndodh më shpesh nga sa mendohet, që prindërit përmes veseve apo aktiviteteve shmangëse heqin dorë nga përgjegjësitë e tyre duke ua lëshuar parakohe dhe padrejtësisht fëmijëve këtë barrë e duke i rritur para kohe. Një pjesë e këtyre fëmijëve bëhen të rritur më të përgjegjshëm, por me një kosto që vështirë të zëvendësohet – humbja e fëmijërisë.

    E besoj dhe e mirëkuptoj dashurinë që ju keni për babain tuaj, pavarësisht mungesës së tij në rolin prindëror apo dhe negativitetin me të cilin ju ka trajtuar (mbase duke projektuar frikërat e pasiguritë e tija si i rritur apo prind). Nga ana tjetër është e rëndësishme për ju si fëmijë të doni dhe respektoni veten tuaj së pari, gjë që ndonjëherë bëhet e vështirë kur mësohesh të shtypësh dëshirat e tua e të bësh para kohe të rriturin-prind.

    Sa takon pyetjes tuaj se cfarë duhet bërë në një rast të tillë apo se si e trajtojnë psikologët, unë mund tju them që cdo rast është unik, dhe zgjidhja që merr varet nga anëtarët e familjes (tuaj, në këtë rast). Ti më shkruan se keni menduar mundësinë e largimit nga shtëpia së bashku me nënën tuaj, por nuk del e qartë se për ku do largoheni dhe nëse nëna juaj është dakord me këtë zgjidhje. Ndërkohë a është I aftë babai juaj për tu kujdesur për veten? Pavarësisht vuajtjeve e telasheve që ju ka shkaktuar, mbase është mire të vlerësoni edhe mundësitë e babait pas largimit tuaj.

    Në një rast ideal, një psikolog mund t’ju ftonte të punonit si familje e plotë, përfshi babain, për shqyrtimin e situates dhe alternativave, dhe vetëm pas një procesi komunikimi të hapur ju mund të ishit më të qartë për alternativat, pasojat dhe të merrnit një vendim më të vetëdijshëm e pa kthyer kokën prapa. Duke qënë se rastet nuk janë asnjëherë ideale, do te te sugjeroja të paktën personalisht, apo me pjestarët e familjes me të cilët është diskutuar largimi, të nisnit një proces këshillues me një psikolog/psikoterapist.

    Shpresoj tju kem ndihmuar sadopak me përgjigjen time

    Gjithë të mirat,

    Ermali

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV