07.06.2018
Pershendetje! Problemi i vetem qe un kam jam ne nje moment cfare duhet dhe cfare te besh Jetoj me familjen i fejuar Ne shtepine ku jetoj jam ngushte duhet te dal ne shtepi te re ne te njejten lagje me shtepine ku jetoj por familja mendon qe ne kte menyre un i lej ata dhe kshu vetem debate bej cdo dite cfare me sugjeroni si te veproj
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Milan dhe faleminderit që na ke shkruar.
Nga sa shkruan, detajet janë në kufizuara lidhur me përbërjen e familjes tënde, situatën social-ekonomike apo kushte të tjera që mund të ndikojnë në situatën që ti na përshkruan si problematike. Këto detaje do ta bënin më të qartë panoramën dhe mundësitë e zgjidhjes së problemit.
Gjithsesi, problemi për të cilin ti shkruan, është më tepër një cështje sociale e kulturore, megjithse mund të shkaktojë vuajtje të mëdha psikologjike e shpirtërore. Duket se problem yt lidhet më tepër me mentalitetin e familjes tënde, i ngjashëm me mentalitetin e shumë familjeve shqipëtare, ku largimi i djalit nga shtëpia perceptohet si braktisje dhe një veprim i turpshëm nga prindërit apo familjarët. Ky mentalitet vjen nga tradita më të hershme, ku djali shtëpisë kishte detyrim të pleqëronte me prindërit e të kujdesej për pjestarët e tjerë të familjes.
Largimi yt bie ndesh me këtë pritshmëri duke nxitur tek prindërit ndjenja faji e turpi, se nuk kanë qënë mjaftueshëm bindës dhe edukues karshi teje sipas këtyre standarteve, si dhe zemërim sepse ti nuk ju bindesh e ju diskuton autoritetin. Një pjesë të rendësishme të presionit në këto lloj situatash e ushtron opinion publik, fqinjët, fisi, të njohurit etj, por sidomos perceptimi që prindërit e tu kanë për këtë opinion.
Ti flet për debate të përditshme, çka sugjeron një gjëndje tensioni të vazhdueshëm. Debati mund të bëhet në mënyrë konstruktive apo destruktive, dhe janë të dyja palët që kontribuojnë në të. Ti ke përgjegjësi për anën tënde dhe mund të ndryshosh dicka vetëm tek vetja, duke shpresuar ndryshimin e pales tjetër.
Ajo cka mund të të sugjeroj,me informacionin e pakët që na ke dhënë, është të përpiqesh të lësh për pak kohë debatin, që të mund të rinisni një diskutim më konstruktiv. Kuptoj që nuk është e lehtë ta bësh këtë aq më tepër që mund të kesh edhe presionin e të fejuarës. Gjithsesi mund të përpiqesh të vendosësh veten në pozicionin e prindërve, për ti kuptuar më mire. Me këtë nuk sugjeroj që të mendosh si prindërit, apo tu japësh të drejtë, por të përpiqesh ti kuptosh pak më tepër (të jesh empatik), që diskutimi i ardhshëm të jetë me tone më të ulura e me dëshirën për një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët.
Shpresoj të të kem ndihmuar sado pak me këtë përgjigje,
Ermali