ANNAMARIA 14.07.2022
Pershendetje! jam nje vajze 23 vjece dhe kam 5 vjet e martuar, keto 5 vite jetoj me prinderit e burrit. Ne fillim nuk ishte shqetesuese jetesa me ta por tani e ndjej qe kjo jetese na ka ftohur me burrin. Ai shikon me shume pleqte, nuk eshte i afruar me mua se ata jane aty dhe me ta perkujdeset me shume se sa per mua. Kerkon nga mua qe gjithmone te jem ne sherbim te tyre dhe nese une nuk dua te bej dicka ai do zihet . Ngela neper doktore, do bejme gjerat qe duan pleqte cafre deshirojne ata, muhabetet qe ata duan dhe kjo gje po me kthehet ne stres. Dua te kem hapsiren dhe privatesine time. I them burrit te levizim nenje shtepi me vete se e kemi mundesine per te levizur ai nuk pranon kategorikisht. Jam dakort qe ti ndohmojme po gjithe rinia dhe gjerat qe dua te bej me burrin ne kete kohe po ja kushtojme pleqve. Ne nuk kemi femije, e dua por ndonjehere nuk jam e sigurt me te nuk me ben te ndihem e sigurt. Ai vuan dhe nga ankthi, nuk dua ta shqetesoj por njekohesisht nuk dua as te semure veten time me ankth sepse nuk ndihem rehat ne shtepi, nuk ndihem si ne shtepine time. Ndihem sikur jam ne gjemba gjate gjithe kohes.
Ju lutem me jepni nje mendim, jam shume ne stres dhe nuk kam me ke te flas…
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Anamaria,
Uroj që kjo përgjigje të të gjejë mirë. Duket sikur kërkon mendim në lidhje me ndonjë vendim që ti do të marrësh. Më lejo të të them që vendimet janë zgjedhje personale duke u bazuar në nevojat e tua në momentin që e ke marrë. Për shembull një vendim i yti në moshën 18 vjecare është martesa. Do doja të dija cfarë të ka shtyrë drejt këtij vendimi? Si ndiheshe ti në atë periudhë? Si e mendoje martesën? Cfarë pritshëmërish kishe nga kjo martesë?
Përsa përket të tashmes, si ndihesh ti në këtë martesë? A kanë qenë këto 5 vite ashtu sic i ke dashur? A janë përmbushur disa nga pritshmëritë e tua? Cilat janë nevojat e tua primare, tani? A i plotëson kjo martesë këto nevoja? Me rritjen dhe progresin e individit, disa prej nevojave, dëshirave dhe vendimet mund të ndryshojnë.
Përpiqu të kuptosh nëse nevojat dhe dëshirat e tua kanë ndryshuar. Vë re se si mund të kenë ndryshuar emocionet e tua në varësi të plotësimit ose jo të nevojave.
Për shembull, ti thua se ke nevojë të kesh hapsirën dhe privatësinë tënde, ndërkohë pak më poshtë thua se nuk ndihesh rehat në shtëpinë tënde. Cfarë mund të bësh ti në lidhje me këtë gjë? Si mund ta përmirësosh/ ndryshosh këtë situatë, duke marrë parasysh nevojat e tua dhe pa cënuar nevojat e pjesëtarëve të tjerë të familjes? Nëse një i afërmi yt apo një mike e ngushtë e jotja, do ishtë në të njëjtën situatë, çfarë do i këshilloje? Pavarsisht, situatës të vështirë që po kalon bashkëshorti yt me ankthin, është e rëndësishme të diskutosh me të, sesa e vështirë është për ty kjo situatë dhe cila do ishte më e mira e përbashkët. Ndoshta koordinimi i punëve apo detyrimeve me bashkëshortin do ju ndihmonte dhe do pakësonte ngarkesën tënde të përditshme.
Je e ftuar të na rishkruash përsëri në lidhje me pyetjet e kësaj letre dhe për çdo shqetësim tjetër tëndin. Deri atëhere uroj të jesh sa më mirë.
Bylyre Serjanaj,
Psikologe Klinike