Këshilla/Blog

“Unë nuk jam ajo që më ka ndodhur, jam ajo që kam zgjedhur të jem.” Carl Jung

Trafikimi i qenieve njerëzore shpesh paramendohet si një botë e errët plot silueta pa fytyrë, e populluar nga individë të rrezikshëm implikuar në rrjetet kriminale. Ky, në fakt është një perceptim mjaft i gabuar. Trafikantët janë njerëz të zakonshëm që i takojmë çdo ditë në rrugë, shkollë, në ambjente publike, në punë apo në familje.
Në shkrimin më poshtë, do të zbulojmë tregimin e dhimbshëm të Anjezës, një vajze të re nga veriu i Shqipërisë.
Ajo fillimisht ra viktimë e abuzimit seksual dhe pastaj përfundoi viktimë e trafikimit nga dora e familjes së vet. Historia e saj fillon me një përjetim të tmerrshëm, ku prej vitesh abuzohej seksualisht nga një anëtar i afërt i familjes. Pavarësisht se ishte vetëm 13 vjeç, ajo u tradhëtua nga një person që supozohej se duhej ta mbronte nga të këqijat e kësaj bote.
Pas shumë viteve abuzim, kur mbushi 17 vjeç, Anjeza mori guximin dhe i tregoi të ëmës të gjithë çfarë po kalonte, duke i kërkuar asaj ndihmë dhe mbrojtje. Shpresa e saj se më në fund do të shpëtonte nga ferri 4-vjeçar i abuzimit u përmbys kur nëna nuk e besoi, e quajti gënjeshtare dhe e hodhi poshtë tregimin e saj si të pavërtetë, duke e etiketuar me emrat më poshtërues e duke e urdhëruar të heshtte për këtë ngjarje!
Fati i saj tragjik mori një kthesë edhe më të errët, kur kuptoi se familja kishte rregulluar për të një martesë të detyruar me një burrë të moshuar, i cili kishte vite në emigrim në një nga shtetet e perëndimit. Me një grimcë shprese se të paktën do të largohej nga shtëpia dhe nga abuzimi, Anjeza me ngurrim pranoi martesën, pa e ditur se në heshtje familja e saj kishte bërë një marrëveshje pas shpinës së saj për këtë martesë. Familja, në këmbim të martesës së vajzës kishte kërkuar dhe kishte marrë një shumë prej 5.000 euro nga burri i saj, duke e shndërruar Anjezën në një mall shitje në treg, si objekt të destinuar për të plotësuar dëshirat dhe interesat e tyre.
Kur e kuptoi se si ishte abuzuar dhe shfrytëzuar nga të gjithë njerëzit e dashur, familja dhe burri, kjo e goditi edhe më tepër. Në vendin e ri ku filloi jetën me bashkëshortin, Anjeza ishte plotësisht e izoluar. E vetmuar me muaj kujtonte të gjitha traumat që kishte përjetuar dhe dita-ditës psikologjikisht u bë keq e më keq derisa në mendje filloi ti shfaqej ideja për vetëvrasje.
Pikërisht në këtë kohë, ajo rastësisht gjeti në internet faqen www.nukjevetem.al dhe kërkoi ndihmë.
Anjeza, sot vazhdon të ndodhet në të njëjtin shtet, por me një identitet të ri. Ajo tashmë ka denoncuar familjen dhe burrin, është divorcuar dhe ka mbrojtje nga shteti ku jeton. Anjeza ka filluar studimet e larta për punë sociale dhe ka krijuar shoqëri me dy vajza nga fakulteti. Gjuhën e ka mësuar mirë. Kontaktet me familjarët e saj në Shqipëri i ka shkëputur dhe sot ëndërron që pas studimeve të bëhet pjesë e grupit këshillues të nukjevetem.al që të mund të ndihmojë vajzat me të njëjtën histori si të sajën.
Anjeza është një vajzë që pas shumë peripecive mori guximin të ndryshojë fatin e vet. Historia e saj tregon se fatkeqësisht familja jo gjithmonë na ofron mbrojtje dhe dashuri. Shpesh ndodh që të afërmit, për motive financiare apo egoiste mund t’i rrezikojnë fëmijët e familjet e tyre. Nga tregimi i Anjezës mund të mësojmë të gjithë. Ky rrugëtim i saj vë në pah nevojën për të vepruar dhe për t’iu kundërvënë trafikantëve të qënieve njerëzore, sidomos atëherë kur ata janë anëtarë të familjes. Ngritja e vetëdijes në shoqëri, mbështetja e viktimave dhe ndërtimi i strukturave ligjore efikase janë hapat e duhur për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, dhe ndoshta mund të shpresojmë për ndryshime reale.

#EndHumanTrafficking #StopHumanTrafficking #UKinAlbania #Ndalojmëtrafikimin #Bashkëmundemi #bashkëkundërtrafikimittëqenievenjerëzore #UNICEFAlbania #UNICEFprotects

  1. Gizem says:

    Histori e hidhur por fundi i lumtur emocionuse

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.