Këshilla/Blog

Trafikimi i qënieve njerëzore, përfshirë skllavërinë moderne, është një problem global që prek vendet në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Në Shqipëri, trafikimi i qënieve njerëzore mbetet një krim i rëndë, me viktima që shpesh detyrohen pë shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar.
UNICEF Shqipëri, nga viti 2020 është duke zbatuar programin “Transformimi i përgjigjes kombëtare ndaj trafikimit të qënieve njerëzore në dhe nga Shqipëria” me mbështetjen e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Programi punon ngushtë me Zyrën e Koordinatorit Kombëtar Antitrafik (ZKKAT) pranë Ministrisë së Brendshme dhe qëllimi i tij kryesor është të kontribuojë në uljen e fenomenit të trafikimit të qënieve njerëzore në dhe nga Shqipëria.

Programi synon të parandalojë trafikimin e qënieve njerëzore nëpërmjet rritjes së mundësive ekonomike dhe sociale në disa rajone të vendit, të rrisë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare në tërësi, si edhe të mbrojë dhe të fuqizojë të mbijetuarit duke u siguruar shërbime riintegruese.


Fondacioni Together Albania është një nga partnerët e shumtë të kësaj ndërhyrjeje ndërsektoriale, që mundëson mbështetje për problematika të shëndetit mendor online, falas dhe në anonimitet të plotë. Ky shërbim i dedikohet të rinjve dhe fëmijëve, por është i aksesueshëm nga të gjithë grupet e cënueshme, nga viktimat e dhunës në familje, të abuzimeve seksuale, viktimat e trafikimit, apo viktimat e mundshme të trafikimit, në çdo cep të Shqipërisë. Në kuadër të këtij programi, shërbimi ofron mbështetje duke e vendosur në qendër të vëmendjes. procesin e riintegrimit të viktimave të trafikimit dhe anëtarëve të familjeve të tyre.


Fondacioni Together Albania zhvilloi një bisedë me përfaqësuesin e zyrës së UNICEF në Shqipëri, Dr. Roberto De Bernardi për të kuptuar disa nga specifikat e një programi kaq gjithëpërfshirës.

FTA: Dr. De Bernardi, UNICEF ne kuadër të programit anti-trafik ka kryer një studim të titulluar “Riintegrimi ekonomik i të mbijetuarve të trafikimit në Shqipëri”, i cili synon të identifikojë sfidat që lidhen me aksesin dhe ofrimin e mbështetjes për riintegrimin ekonomik të të mbijetuarve të trafikimit.


Dr. De Bernardi: Gjetjet nga studimi i UNICEF janë të rëndësishme dhe të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat që lidhen me riintegrimin ekonomik të të mbijetuarve të trafikimit në Shqipëri. Trajtimi i boshllëqeve nga perspektiva e profesionistëve të vijës së parë, përfaqësuesve të organizatave të sektorit privat dhe të vetë mbijetuarve të trafikimit synon të ndihmojë në zhvillimin e politikave dhe të strategjive për të ofruar mbështetje dhe akses në burime dhe shërbime mbështetëse për të mbijetuarit. Fuqizimi ekonomik bazuar në të dhëna mbetet një element kyç në procesin e rimëkëmbjes dhe riintegrimit të Viktimave të Mundshme të Trafikimit/ Viktimave të Trafikimit (VMT/VT). Fuqizimi ekonomik u mundëson të mbijetuarve të trafikimit të qënieve njerëzore të rimarrin në duart e tyre kontrollin e jetës, të kenë pavarësi, të ndërtojnë qëndrueshmëri financiare dhe të marrin vendime për ardhmen e tyre, duke e ulur kështu rrezikun për t’u ritrafikuar. Fuqizimi ekonomik fuqizon gjithashtu familjet duke ofruar mundësinë që familjet të rilidhen sërish.

FTA: Çfarë mendoni për rëndësinë e studimeve kërkimore dhe ndikimin e tyre për trajtimin e problematikave që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore?


Dr. De Bernardi: Ky nuk është i vetmi studim që kemi kryer në kuadër të programit, mbi çështje që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore në Shqipëri. Kështu, në katër rajone të Shqipërisë është kryer një anketim për matjen e ‘Njohurive, qëndrimeve dhe praktikave të të rinjve rreth trafikimit e qënieve njerëzore’, ndërsa një studim tjetër ‘Trafikuar nga dikush që njoh’ u botua në korrik 2022.
Gjetjet e anketimit janë përdorur për të formëzuar dhe përshtatur fushatën mbarëkombëtare të komunikimit ne kuadër të programit gjatë tre viteve të fundit, gjithmonë me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në të gjithë vendin. Raportet janë të publikuara në faqen e internetit të UNICEF-it në Shqipëri, në gjuhën shqipe dhe angleze.
Këto studime të rëndësishme na ndihmojnë të kuptojmë specifikat dhe tiparet e veçanta të fenomenit të trafikimit të qënieve njerëzore në Shqipëri. Të dhënat dhe gjetjet e mbledhura mund të përdoren jo vetëm për qëllime ndërgjegjësimi, por edhe për të ngjallur më shumë interes për kërkime shkencore në këtë fushë nga studiues vendas dhe ndërkombëtarë. Prandaj, këto studime i shërbejnë një qëllimi të shumëfishtë për ndarjen e gjetjeve dhe ndërgjegjësimin e publikut duke synuar grupe të ndryshme, duke mos u kufizuar vetëm në publikun e gjerë, të rinjtë dhe komunitetet, por gjithashtu duke synuar të ndahen dhe përdoren nga studiues të fushës, mediat, institucionet qeveritare, qeverisja vendore, sektori privat etj.

FTA: Sipas anketës të kryer në katër rajone të Shqipërisë, duket se të rinjtë në Shqipëri kanë shprehur interes veçanërisht rreth riintegrimit ekonomik të të mbijetuarve të trafikimit.


Dr. De Bernardi: Po, rezultatet e anketës tregojnë se shumica (90%) e të rinjve në të katër qarqet ku eshte zbatuar hulumtimi (Tiranë, Shkodër, Kukës dhe Dibër) besojnë se viktimave të trafikimit duhet t’u sigurohet mbështetje dhe ndihmë. Po ashtu, përgjigjet e tyre (me ‘jashtëzakonisht ose shumë’) për pyetje rreth mbështetjes që u duhet ofruar viktimave të trafikimit dhe atyre në rrezik, tregojnë një nivel të lartë të ndjeshmërisë së tyre për këtë grup të cënueshëm. Prandaj, këtë rezultat mund ta konsiderojmë si tregues pozitiv se njerëzit në Shqipëri, e veçanërisht të rinjtë, kuptojnë nevojat e të mbijetuarve të trafikimit dhe përkrahin mundësitë e dhënies së ndihmës ekonomike dhe sociale, duke i vlerësuar ato si shumë të rëndësishme.


FTA: Mund të na thoni se çfarë ju ofrohet konkretisht viktimave të trafikimit gjatë procesit të riintegrimit?


Dr. De Beranrdi: UNICEF ka bërë një punë të veçantë për të përfshirë edhe sektorin privat në fuqizimin social dhe ekonomik të viktimave të trafikimit dhe individëve në rrezik për trafikim. Paketa e riintegrimit ka në fokus edukimin profesional dhe marrjen e zanateve teknike, të shoqëruara me fonde për të mbështetur bizneset fillestare dhe mikro-bizneset e tyre, si dhe ofron mbështetje të punësimit në formën e praktikës ose vendeve të punës me pagesë. Përveç këtyre, programi ofron shërbime mbështetëse si strehimi, kujdesi shëndetësor, arsimi, ndihmë psikologjike për probleme të shëndetit mendor, dhe ndihmë ligjore falas. Sigurimi i hapësirave të sigurta për të mbijetuarit dhe mbrojtja e të drejtave të tyre janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm rrintegrues.


FTA: Në të njëjtën kohë, është vërejtur që politikat dhe praktikat kundër trafikimit në Shqipëri janë fokusuar kryesisht tek gratë dhe vajzat, duke lënë viktimat meshkuj me projekte të kufizuara ndihme. Është e rëndësishme që të sigurohen burime të qëndrueshme për të ndihmuar të gjitha viktimat e trafikimit të qënieve njerëzore, pavarësisht nga gjinia, mosha apo përkatëia etnike. Si e trajton programi i UNICEF këtë çështje?


Dr. De Bernardi: Jam plotësisht dakord me ju, duhet të kemi një qasje të barabartë ndaj të gjitha viktimave të trafikimit të qënieve njerëzore. Megjithatë, të dhënat tregojnë se grate dhe vajzat janë më të rrezikuara për t’u bërë viktima të trafikimit të qënieve njerëzore, veçanërisht për shfrytëzim seksual. Ndërkohë që vitet e fundit vërehet një tendencë në rritje në Shqipëri, e djemve dhe burrave në rrezik për t’u trafikuar. Andaj, UNICEF që në fillim të zbatimit të programit është kujdesur për të mbështetur të gjithë këta individë me shërbime të përshtatura sipas nevojave të tyre. Siç e theksoni edhe ju me të drejtë, është e rëndësishme të projektojmë programe dhe të kanalizojmë burime të qëndrueshme financiare për të mbrojtur fëmijët, gratë dhe vajzat, si dhe djemtë dhe burrat nga çdo formë shfrytëzimi.


FTA: Ju falenderojmë për kohën që i kushtuat kësaj interviste.

*Kjo intervistë u realizua në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” udhëhequr nga UNICEF Albania dhe mbështetur nga British Embassy Tirana.

#EndHumanTrafficking #StopHumanTrafficking #UKinAlbania #Ndalojmëtrafikimin #Bashkëmundemi #bashkëkundërtrafikimittëqenievenjerëzore #UNICEFAlbania #UNICEFprotects