01.03.2018
Cfare duhet te bej kur me kap frika per ti treguar familjes qe kam nje te dashur te cilin e dua shume, pavarsisht se e di qe familja ime nuk do ishte dakorte per ate qe un dua?
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
Faleminderit që na ke shkruar për atë që të shqetëson dhe për besimin në përgjigjen tonë.
E kuptoj që po ndihesh midis dy ndjesive të vazhdueshme, dashurisë për dikë dhe një frike lidhur me moskonfirmimin apo aprovimin nga persona (familja në këtë rast) të cilët janë të rëndësishëm për ty dhe me sa duket opinioni dhe pozicioni i tyre është i vecantë dhe ka goxha peshë për ty.
Në fakt më duhet të them që letra jote është e kufizuar në informacion dhe nuk arrij dot të kuptoj qartë arsyet pse ti ke frikë. Prandaj unë kam disa pyetje për ty, që kërkohet të reflektosh dhe në rast se dëshiron ta vazhdojmë komunikimin bashkë, atëherë je mëse e mirëpritur.
Cfarë mendon ti se mund të mos konfirmojnë ata? Ku bazohet kjo gjë?
Kanë ndonjë pritshmëri më të madhe ndaj teje?
Për cilat reagime, ke më shumë merak?
Ka ndonjë gjë në lidhjen tënde që ndoshta të shqetëson apo ngacmon edhe ty?
Pse është kaq e vështirë tu shpjegosh personave të tu të afërt, që i dashuri yt është i rëndësishëm për ty, të bën të ndihesh mirë?
Mendon se edhe në rast se nuk e a aprovojnë, a nuk mund tu lësh atyre kohën e duhur për ta njohur personin që ti do dhe për cilin ti je e sigurt?
Ndonjëherë kur ne nisemi me supozimin që “kështu është” apo “këshu do reagohet apo do reagojnë të tjerët”, atëherë automatikisht krijojmë një skemë të menduari, kur në realitet, reagimet mund të jenë shumë të ndryshme.
Ndodh edhe që të ndihemi “të vegjël” para prindërve, opinioneve të tyre, apo të “zvogëlohemi” në disa situata, mbase si kjo e jotja, por gjithashtu mendoj që kjo është pjesë e rritjes dhe zhvillimit tonë emocional që të kuptojmë si të përballemi me frikërat për të komunikuar me persona domethënës.
Është e rëndësishme që ti të komunikosh me familjarët e tu, tu japësh atyre informacion nga vetja jote, nga cfarë ti sheh te personi që do, por edhe tu japësh atyre kohën e duhur për të kuptuar prespektivën tënde apo për të njohur personin tjetër.
Madje mund edhe ta fillosh duke u shpjeguar që ke merak lidhur me opinionin e tyre pasi ti duket që e vlerëson atë dhe mbështetja e tyre është e rëndësishme për ty.
Në rast se për ty është e rëndësishme tua thuash këtë gjë dhe në rast se je e bindur për lidhjen tënde, bëje hapur, me sinqeritet dhe me ndjesinë e emocioneve që ke aktualisht. Unë mendoj qe fitohet shumë më shumë me personat e dashur dhe me veten, duke hapur kanalet e komunikimit dhe duke i bërë tjetrit të kuptoj prespektivën tënde, duke i thënë “kam nevojë të më kuptosh, të më mbështesësh pasi dua të bëj e të kem më të mirën në jetën time”, “kam nevojë të jeni të kujdeshëm ndaj asaj që provoj, që dua akualisht” “e kuptoj që edhe ju keni frikërat e mendimet tuaja, më lejoni ti flasim bashkë”.
Mendoj se duke i njohur, ti do dish më mirë se si tu drejtohesh atyre.
Në gjykimin tim, fillohet nga kjo, pastaj pjesa tjetër është një rrugëtim nga të dy palët për të kuptuar prespektivën e njëri tjetrit dhe për të arritur në kuptueshmërinë e duhur.
Shpresoj që të kem mbërritur te ty me reflektimet dhe përgjigjen time.
Të uroj gjithë të mirat më tej.
Almandina