Ann 08.12.2022
Pse skuqem shpeshher edhe pa pasur nje arsye ?Edhe Kur me pyesin per gjene me te Vogel filloj edhe skuqem ,me djersisin duart Dhe me merret fryma me duket sikur Po vdes.Nuk rri dot ne grupe te medha njerezish sepse ndihem sikur te gjithe me me gjykojne edhe pse une Kam mardhenje te Mira me te gjithe.Perpiqem te mendoj cfare do te them Kur dikush te me pyesin jam gjithmone si e frikesuar .Nuk Po e menaxhoj dot veten
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Uroj që kjo letër të të gjejë mirë dhe faleminderit që na besove dhe shkruajte. E marr me mend se është shumë sfilitëse për ty gjithë ky përjetim kur ndërkohë të duhet të përballesh me njërëz në përditshmërin tënde. Simptoma të përshkruara nga ti ngjasojnë me ankthin social. Pjesa më e madhe e të rinjve na shkruajnë për simptoma të ngjashme. Vlen të theksohet se simpomat e ankthit janë të trajtueshme. Trajtimi mund të kërkojë kohë por është i mundur. Ankthi shoqërohet edhe me simptoma fizike si skuqja, djersitja, dridhjet etj. Gjendja psiko-emocionale kthehet në fiziologjike. Mendoji këto simptoma si një alarm dhe po të lajmërojnë që duhet të punosh me gjendjen tënde psiko-emocionale. T’i identifikosh dhe të kuptosh burimin e simptomave. Cfarë mendon ti para se të të kap ankthi? Sa të vërteta janë këto mendime? Sa fakte reale ke në lidhje me këto mendime? Si të bëjnë të ndihesh? Vër re se si mendimet e tua ndikojnë në gjendjen tënde emocionale.
Ti thua se ke frikë nga gjykimi, por nëse të tjerët do të të gjykonin negativisht, a do të kishin marrëdhënie të mirë me ty, siç ti shprehesh në letër? Simptomat nuk janë të lehta për t’u përjetuar, por është e rëndësishme të përballesh me to dhe me situatat që të sjellin ankth. Në këtë mënyrë arrin t’I kujtosh vetes se ti ia dole, me ato simptoma, dhe në këtë mënyrë simptomat fillojnë dhe ulen në intesitet dhe në ashpërsi. Mund t’I mendosh si dallgët e detit, të cilat kanë një fillim, arrijnë kulmin diku dhe më pas bien. Të shkruarit në një ditar mbi mendimet dhe emocionet, frymëmarrja e thellë, fokusi në shqisat e tua, Tani dhe Këtu apo meditimi do të të ndihmonin në përballimin e simptomave të ankthit.
Në kanalin tonë në Yotube (https://www.youtube.com/@fondacionitogetheralbania8756) mund të gjesh video mbi simptomat ankthit dhe mënyrat e menaxhimit. Gjithashtu, mund të kërkosh në burime të tjera të sigurta në internet mbi format përballimit të ankthit.
Nëse sheh se kjo periudhë zgjat, të sugjeroj të kërkosh ndihmën e një psikologu klinik apo psikoterapisti dhe ndihu e lirë të më rishkruash në çdo moment tëndin të vështirë.
Gjithë të mirat,
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike