Këshilla/Blog

Art: Aykutaydogdu

Trafikimi i Qënieve Njerëzore dhe Pasojat në Shëndetin Mendor të Viktimave

Trafikimi i Qenieve Njerëzore dhe Pasojat në Shëndetin Mendor të Mbijetuarve

Trafikimi i qënieve njerëzore është një krim i rëndë me pasoja negative e që prek shoqërinë duke goditur jo vetëm individin, por të gjithë familjen në tërësi.
Në kontekstin kulturor të Shqipërisë, falë stigmës, ky fenomen ka ndikim më të rëndë në shëndetin mendor të viktimave dhe të mbijetuarve të trafikimit. Viktimat dhe të mbijetuarit e trafikimit dhe shfrytëzimit nga të gjitha shtetet përballen me probleme të shëndetit mendor, por dallimi ndërmjet të mbijetuarve nga trafikimi në Shqipëri është se kërkimi i ndihmës psikologjike është më i vështirë dhe ndikohet në masë të madhe jo vetëm nga mungesa e shërbimeve dhe e profesionistëve, por kryesisht edhe nga pandjeshmëria e shoqërisë shqiptare, niveli i lartë i gjykimit, stigmatizimit dhe përçmimit të tyre.
Në një shoqëri si ajo e Shqipërisë, stigmatizimi ndaj viktimave të trafikimit ndikon edhe në përballimin serioz të kësaj dukurie. Këtë fenomen nuk duhet ta luftojmë sepse na kërkohet nga partnerët ndërkombëtarë, por duhet ta luftojmë për të mbrojtur fëmijët tanë, shtetasit shqiptarë, familjet dhe komunitetet tona.
Trafikimi i qenieve njerëzore dhe shfrytëzimi që ndodh brenda Shqipërisë, është një sfidë e madhe e cila kërkon angazhim të gjerë të shoqërisë civile, dhe duhet adresuar në të gjitha nivelet; në familje, shkollë, universitete, punë, institucione, kulture, sport, media etj. Shpeshherë viktimat përballen me mungesë të mirekuptimit, empatisë dhe përkrahjes nga komuniteti, sepse stigmatizohen si persona të njollosur njëherë e pergjithmone, të pavlerë, dhe përgjegjës për atë që ju ka ndodhur!?!
Ky stigmatizim i skajshëm rrit ndjenjat e vetëvlerësimit të ulët dhe izolimit emocional të viktimave dhe të të mbijetuarve. Në kontekstin shqiptar, ku ndikimi i traditave patriarkale dhe normave kulturore është më i pranishëm sesa në vendet tjera, stigmatizimi ndaj viktimave bën që ato të heshtin mbi vuajtjet e tyre, duke thelluar problemet e shëndetit të tyre mendor pa kërkuar ndihmë psikologjike, si edhe të hezitojnë për të raportuar trafikantët.
Trafikimi i qënieve njerëzore sjell me vete një gamë të gjerë të traumave dhe ndjenjave te trazuara, veçanërisht për viktimat shqiptare. Ndër shkaqet kryesore të trafikimit në Shqipëri janë papunësia, varfëria dhe mungesa e drejtësisë dhe ndëshkimit të këtyre veprave kriminale.
Viktimat e trafikimit apo shfrytëzimit shpesh janë persona të cilët në përpjekje për të siguruar një të ardhme më të mirë detyrohen të zgjedhin rrugë ilegale drejt shteteve europiane për të siguruar mbijetesën. Këto sfida dhe rreziqe të zgjatura në kohë dhe kushtet e vështira në të cilat ato jetojnë bëjnë që viktimat të përjetojnë nivele të larta stresi, ankthi dhe traume, çka mund të çojë në sëmundje të rënda të shëndetit mendor. Në shumë raste, viktimat e trafikimit nga Shqipëria e vuajnë më shumë ndarjen nga familja, një aspekt i rëndësishëm në kulturën shqiptare, i cili duhet vlerësuar dhe ruajtur.
Kjo ndarje shkakton dhe rrit akoma më shumë ndjenjën e vetmisë dhe izolimit, gjë që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor. Për më tepër, ndarja e viktimave nga komuniteti i tyre shkakton humbje identiteti dhe ndjenjën e mospërkatësisë, duke çuar në dëshpërim dhe depresion. Trafikimi i qënieve njerëzore në Shqipëri, për shkak te neglizhimit të përndjekjeve të rrugëve ilegale në kalimin e kufirit dhe politikave pasive te institucioneve, ka ndikime të mëdha edhe në shoqëri. Ky fenomen thellon hendekun midis qytetarëve dhe institucioneve dhe rrit mosbesimin ndaj policisë, autoriteteve dhe sistemit gjyqësor, duke ushqyer ndjenjat e pasigurisë dhe frikës, i cili manifestohet në shoqëri si pasivitet dhe apati sidomos tek familjarët të cilët hezitojnë të kërkojnë llogaridhënie. Në këtë mënyrë, efektet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë moderne në shëndetin mendor të viktimave përshkallëzohen nga ndikimi i mungesës së drejtësisë, sigurisë dhe besimit në institucionet vendore. Qasja te shërbimet e shëndetit mendor dhe ofrimi i hapësirave të sigurta është një nga hapat e parë dhe thelbësore për një riintegrim dhe rehabilitim të suksesshëm të viktimave. Për këtë arsye, është emergjente që shoqëria dhe institucionet në nivel qendror dhe vendor të angazhohen seriozisht dhe me përkushtim në ofrimin e ndihmës dhe përkrahjen e viktimave të trafikimit, si dhe të sigurojnë shërbime të qëndrueshme për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre duke iu ofruar mbështetje psikologjike për menaxhimin e problemeve të shëndetit mendor, drejtësi dhe siguri duke ndërtuar protokolle, shërbime të nevojshme dhe institucione të besueshme e të pavarura.
Vera Remškar,
Fondacioni Together Albania

#EndHumanTrafficking #StopHumanTrafficking #UKinAlbania #Ndalojmëtrafikimin #Bashkëmundemi #bashkëkundërtrafikimittëqenievenjerëzore #UNICEFAlbania #UNICEFprotects

Art:Jonathan Knowles


NJV