Të mbijetuarit e trafikimit të qenieve njerëzore zakonisht vuajnë nga një sërë problematikash të shëndetit mendor. Institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare si UNICEF Albania apo OJF- që veprojnë në nivel vendor përmes ndërhyrjeve dhe programeve të ndryshme të zbatuara ndër vite kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që viktimat e trafikimit në Shqipëri të kenë akses të drejtëpërdrejtë në shërbime që lidhen me shëndetin mendor. Megjithëatë, faktorë si stigma, paragjykimi, diskriminimi, mungesa e lehtëssirave dhe informacionit mund te kenë ndikim duke vështirësuar kërkimin e ndihmës dhe marrjen e shërbimeve profesionale.
Megjithatë, teknologjia i ofron komoditet personave të cilët kërkojnë ndihmë të zgjedhin si të komunikojnë dhe të marrin shërbimin psikologjik dhe online (chat, video dhe audio) duke u mundësuar një ambient të sigurt dhe të rehatshëm. Sipas studimeve, këshillimi online konsiderohet mjaftë i dobishëm për personat që janë veçanërisht të ndrojtur, që jetojnë në qytete të vogla apo fshatra dhe që kanë frikë nga stigmatizimi dhe paragjykimi nëse ekspozohen përmes terapisë ballë për ballë (Efstathiou,2009). [1]Përveç aksesit të shpejtë, lehtësia e komunikimit online me ekspertë të shëndetit mendor është shumë më e madhe sepse rrit lirinë e shprehjes, por edhe zvogëlon nivelin e stigmës që përjetojnë viktimat.
Një përparësi tjetër e këshillimit online lidhet me sigurinë e viktimës. Nuk janë të pakta rastet kur viktimat e trafikimit janë të rrezikuara nga përndjekja e trafikantëve dhe kanë vështirësi për të bërë një jetë normale. Në të tilla kushte, mbështetja psikologjike online është një formë shume e mirë që i vjen në ndihmë vikimave të trafikimit pa cënuar sigurinë e tyre dhe pa i ekspozuar ato ndaj faktorëve të mundshëm të rrezikut.
Shpesh të mbijetuarit e trafikimit e kanë të pamundur të marrin mbështetje psikologjike për shkak të strehimit të tyre në zona rurale e të thella ku mungojnë shërbimet psiko-sociale. Këshillimi online ofron një mbulim të gjerë gjeografik, duke mos lënë mënjanë askënd në nevojë dhe duke e bërë të lehtë për viktimat të kërkojnë ndihmë. Gjithashtu, këshillimi online mund të jetë një mjet i rëndësishëm për të ndihmuar viktimat dhe grupet vulnerabël potencialisht të rrezikuara të mësojnë më shumë rreth shëndetit mendor dhe teknikave të menaxhimit të stresit, ankthit apo shqetësimeve të tjera duke çuar kështu në një mirëqenie më të mirë psiko-emocionale. Një tjetër përparësi e këshillimit online është edhe mundesia e këshillimit të vazhdueshëm të të mbijetuarve që tashmë kanë filluar një jetë të re në riintegruese në shoqëri.
Krahas përparësive, këshillimi online ka edhe një sërë sfidash kur flasim për viktimat e trafikimit. Fillimisht, këshillimi online nuk ofron të njejtin ndërveprimin njerëzor që ofrohet përmes këshillimit ballë për ballë. Prandaj, mungesa e pranisë fizike mund të ulë ndjenjën e intimitetit, besimit dhe angazhim në marrëdhënien terapeutike.
Një seancë online mund të jetë një sfidë për të mbijetuarit që mund të kenë probleme psikiatrike dhe trauma të rënda si pasojë e shfrytëzimit dhe abuzimit gjatë kohës që kanë qënë viktima të trafikimit. Kjo çështje mund të bëhet më komplekse për t’u trajtuar virtualisht, duke e bërë dhe për këshilluesin më të vështirë mos përfshirjen dhe ruajtjen e kufijve në marrëdhënien me kërkuesin/en e ndihmës. Edhe kur teknologjia funksionon pa probleme dhe seanca e këshillimit shkon siç duhet, kërkuesi i ndihmës mund të ndjejnë një lidhje jo të fortë në marrëdhënien që krijohet me psikologun e që është e rëndësishme për një trajtim efektiv (Neimeyer &Noppe-Brandon, 2012, f. 118).[2]
Gjithnjë e më shumë digjitalizimi dhe këshillimi online po marrin hov duke krijuar lehtësia për të mbijetuarit e trafikimit që mund të kenë pengesa të konsiderueshme financiare, gjeografike, fizike ose sociale për të aksesuar personalisht mbështetjen psikologjike por në të njejtën kohë, ky proçes kërkon të zhvillohet me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm maksimal në mënyë që të jetë sa më efektiv në zbutjen apo tejkalimin e traumave dhe menaxhimin e problemeve të shëndetit mendor.
Punoi:Ida Muçka
Koordinatore Projekti
Fondacioni Together Albania
Ky artikull u zhvillua në kuadër të programit “Transformimi i Përgjigjes Kombëtare ndaj Trafikimit të Qenieve Njerëzore në dhe nga Shqipëria” udhëhequr nga UNICEF Albania dhe mbështetur nga British Embassy Tirana.
#EndHumanTrafficking #StopHumanTrafficking #UKinAlbania #Ndalojmëtrafikimin
#Bashkëmundemi #bashkëkundërtrafikimittëqenievenjerëzore #UNICEFAlbania #UNICEFprotects