Këshilla/Blog

pa emer 27.09.2020

Pershendetje psikologe Lediona! Mendova se nuk do te rikthehesha me tek Nuk Je Vetem,por derisa une te marr vendosmerine e nje terapie(nese do t’ja ndiej nevojen), mendoj se do ishte mire qe te shkembeja ndonje mesazh me ty ketu ne strehen time,sigurisht kur te kem nevoje,keshtu si sot. Po i jap kohe vetes,po e le te mendoje dhe njekohesisht po e nxis qe mos te torturohet me mendime,dhe rutina qe ndryshoi me ardhjen e shkolles po me ndihmon ta bej kete. Po perballem me persona qe mendoja se nuk kishin konsiderate per mua(te njohurit e vjeter) dhe po shoh qe eshte krejt e kunderta dhe ne te njejten kohe po zgjeroj shoqerite e mia me njerez te tjere. Problemi im eshte ajo dobesi per te cilen kemi folur. Po humbas vetvleresimin sa here perballem me situata te tilla dhe mbi te gjitha po ndiej gjithmone shume e me shume frike. Dua te shprehem me shoqet dhe deri diku e kam bere,por une s’mund t’u tregoj atyre per frikerat e mia,sepse ndoshta ato do te mendojne dicka te gabuar per mua. As une nuk e di cfare te mendoj. Filloj te mendoj qe ka nje dallim midis njerezve dhe kafsheve:te dyja grupet kane nevojat e tyre ne kete aspekt,por ndryshe nga kafshet qe shfaqin dobesi vetem nga nevojat biologjike,njerezit karakterizohen nga fusha e ndjenjave,dhe une ne keto momente e kam shume te veshtire ta shoh kete dallim te vetja dhe ndonjehere dyshoj nese e kam apo jo. Me the t’i jap kohe vetes te rritem,eshte e drejte,por une kam frike te rritem,sepse nuk dua qe ajo “e rritura” te jete e keqformuar. E ndiej fort kete frike,sepse shoh qe ndonese une jam teper po teper e arsyeshme dhe e permbajtur ne veprime,nuk jam e tille ne mendime. Dikush mund te flirtoje me mua dhe une ne vend qe te mbaj qendrim ne mendjen time,deshiroj te dukem e rendesishme para atij personi,ndoshta e bukur,e brishte,me karakterin e duhur apo cilesi te tjera te tilla. Ose ndoshta ai dikush as qe po flirton fare,por mendja ime ideon dicka te tille dhe keqintepreton shenjat me te vogla,dhe kenaqet me ndjesine e te menduarit qe ai dikush aty prane po me sheh,po tensionohet,po mendon qe une jam qendra e vemendjes,dhe une perpiqem ta ndal,pastaj ndihem fajtore. Dhe ketu nuk behet fjale per nje “dikush” por per shume raste te tilla momentale me te tjere,ku une kam pasur deshire te pakontrollueshme per te lene pershtypje dhe sa me shume te zgjase kjo brenda nje periudhe,aq me shume filloj une te ndikohem vete dhe te kerkoj me sy qe ai person qe mund te me jete fiksuar ne ate moment te jete aty dhe te ndikohet nga une. Ndonjehere me duket sikur fillon te flase nje pjese tjeter imja,nje pjese djallezore qe me dhemb e me ben te ndihem ndryshe,dhe shpesh i them te heshte. Ajo pjese e brendshme ka keqinterpretime ose intepretime qe me dashje i keqkupton,ka dobesi qe nuk kontrollohen ne momentin qe ndodhin dhe me raste edhe fantazi te shthurura deri diku,gjera qe thelbi i vetes sime nuk i ka si karakteristika. Ndoshta po e theksoj shume,por jam ne ankth dhe dua qofte nje menyre per ta hequr kete. Dua qe per djemte te arrij te jem shoqe dhe qe ajo pjesa ime e brendshme ta besoje kete. Dua qe t’i shoh djemte si njerez te personalizuar,pa ide te tilla. Dua qe te jem e afte te krijoj marredhenie te qendrushme dhe te besueshme ne te ardhmen,ku te bazohem ne ndjenja te forta,pa u ndikuar nga keto qe po me ndikojne tani. Nuk dua te gaboj dhe nuk dua te behem nje femer e paqendrueshme qe vazhdon nje rruge te pamoralshme. Mendoja se nje vajze behej e paqendrueshme vetem per shkak te zgjedhjeve te saj,por a e merr drejtimin gjithcka vetem per shkak te zgjedhjeve qe bejme? Po sikur kjo qe po me ndodh te mos jete nje zgjedhje por te jete dicka e imja? Kam frike te jete keshtu,kam frike qe po e them kete por kam nevoje te di nese mund te jete apo jo dicka e tille. A mundet kjo dobesi te vazhdoje te me kontrolloje pavaresisht gjithckaje qe mund te bej? A mund te jete kjo dicka gjenetike apo jo? Dhe te lutem,pervec keshillave apo pergjigjeve qe do te me japesh,dua me ngulm pergiigje per pikepyetjet e listuara me lart,cfaredo pergjijgjesh qofshin,te lutem! Dua te di si mund te jete formuar,shkaqet,kohezgjatjen dhe mirekontrollimin e kesaj. Besoj se e kuptove qe jam K…….,vajza me te cilen ke komunikuar ketu per problemet e meparshme rreth pelqimeve ne adoleshencen time. Pres nje pergjigje! Faleminderit!

  1. pa emer says:

    Jam shume ne ankth. Ju lutem me jepni nje pergjigje!
    Dua thjesht nje pergjigje ne menyre qe te ndal se menduari se u pelqej te gjitheve dhe te ndal se paturi impulse qe me shtyjne te kerkoj nje pergjigje nga ata per ate qe une jam. Dua nje jete te shendetshme dhe dua te di shkaqet e kesaj,pergjigjet per pyetjet me siper dhe menyren se si une ta kontrolloj kete gje qe as nuk di si ta emertoj,por di se nuk duhet te vazhdoj ta kem brenda vetes!

    1. Nuk Je Vetem says:

      Pershendetje, pyetja i eshte derguar Psikologes por per shkak te disa problemeve shendetesore qe ajo ka do te vonoje pak pergjigjia.

      Faleminderit per mirekuptimin,
      Gjithe te mirat.
      Stafi i Nuk je vetem

  2. MSc. Lediona Braho says:

    Përshëndetje K.,
    Më vjen mirë që disa gjëra po ndryshojnë pozitivisht për ty, p.sh. që po sheh se disa persona kanë konsideratë për ty dhe që po zgjeron shoqërinë me njohje të reja. Uroj sa më mbarë në këtë drejtim. Si letrat e mëparshme, edhe kjo letër është e detajuar. Ti si gjithmonë ke shumë pyetje dhe unë do përpiqem të të jap kuptimin tim mbi këtë letër (me disa sugjerime në kllapa): Kuptoj që ke shumë frikë dhe mendoj që kjo frikë e përshkron si një fill i hollë gjithë botën tënde emocionale. (Ndaj të sugjeroj të bësh 1) një listë të frikërave të tua 2) të shtosh burimet e këtyre frikërave dhe 3) te shkruash cfare do te te ndihmonte per ta perballuar secilen prej tyre – qofte edhe ne menyre imagjinare). Frika mund të lidhet me mungesën e besimit te të tjerët, kryesisht te prindërit dhe njerëzit e familjes. A ndien ose mendon ndonjëherë se prindërit nuk i njohin disa nga nevojat e tua, nuk i kuptojnë ato (edhe nëse i njohin) ose nuk do t’i pranonin ato kurrsesi edhe po t’i njihnin? A ndjen se je vetëm në disa gjëra dhe që nuk mund t’u besosh atyre frikërat apo pasiguritë e tua për veten, për jetën? Zakonisht, kur disa nevoja nuk plotësohen në mënyrë të shëndetshme në familje, krijohet vetmi, izolim (mendor/emocional) nga anëtarët e familjes dhe arratisja në fantazi; mund të bëhen përpjekje të pavetëdijshme për t’i plotësuar jashtë shtëpisë nevojat (në mënyra joefikase, të pjesshme, të paplote) dhe kjo mund të sjellë më shumë vuajtje (“mendimet torturuese”, “fantazitë e shthurura”)
    Marrim sikur ti po fantazon se djemtë po flirtojnë me ty. Mund të jetë normale në njëfarë mase edhe kjo fantazi, tregon një fazë të zhvillimit në adoleshencë ku shumica e vajzave duan t’u pëlqejnë djemve dhe anasjellas dhe kjo bëhet burim i identiteit të tyre. Nëse ndodh në mënyrë “të tepruar” siç ndjen ti se po të ndodh, atëherë mund të jetë një nevojë shumë e madhe për t’u pëlqyer nga djemtë sepse këtë nevojë nuk po e plotëson dot në mënyrë tjetër. (Këtu po mendoj që ti listosh pak disa cilësi të vetes që janë shumë të pëlqyeshme për ty dhe për njerëzit e tu të afërt: prindërit, familjarët, njerëzit që të njohin mirë, mësuesit – çfarë gjërash ke të pëlqyeshme ti që ti ia njeh vetes dhe të tjerët t’i njohin ty ose do doje të t’i njihnin? Ideja ime është se nëse ti ke cilësi të mira dhe potenciale në fusha të caktuara – jo vetëm lëndët në shkollë, por edhe në fusha jashtë shkollës – atëherë duke marrë më shumë kohë për t’i zhvilluar këto, do të ndihesh më mirë, do të kesh më shumë emocione dhe mendime pozitive për veten dhe ndoshta nuk do të zhytesh në fantazi, por do jesh më e lidhur me realitetin e gjërave).
    Kërkimi për të qenë në qendër të vëmendjes, për t’u pëlqyer, për t’u vënë re, për të “ndikuar” dikë ose disa njerëz aty rrotull, për të fantazuar për ta – mund të jenë kërkime të “lidhjeve” emocionale me njerëzit, lidhje që nuk janë të plota, por të pjesshme; që kanë një funksion të rëndësishëm për ty: plotësojnë nevojën tënde për t’u dashur, pranuar, pëlqyer, vlerësuar etj. Nëse mendon për fantazitë dhe mendimet “torturuese”, çfarë po të thonë këto për veten tënde? Si je ti si person në thelb? Si është një person që ka mendime dhe fantazi të tilla? Në një moment thua nuk dua të bëhem një “femër e pamoralshme”. Mendon se po të kesh mendime të tilla bëhesh e pamoralshme?
    Cili është kuptimi yt për një “femër të pamoralshme” dhe nga buron ky kuptim? (Nëse ti njeh një grua ose një vajzë që e konsideron “të pamoralshme” në qytetin tënd apo jashtë tij, çfarë do të doje të kuptoje nga jeta e saj, historia e saj. Çfarë pyetjesh do t’i bëje? A njeh dikë të tillë dhe sa e afërt është me ty?)
    Nëse fantazitë për djemtë tregojnë diçka negative për ty si person, a mund bësh diçka sot, e vetme (pa ndihmën e një psikologu në terapi) për t’i ndryshuar këto mendime? Nga përvoja e di që është tepër e vështirë, sidomos kur këto mendime negative për veten janë shumë të rrënjosura nga përvojat e hershme në shtëpi.
    Ajo pjesa “djallëzore” që ka nevojë të shihet, të pëlqehet, që do të jetë në qendër të vëmendjes dhe t’u bëjë përshtypje djemve e ka një origjinë, ka filluar të formohet dikur në jetën tënde, nuk ka lindur me ty. Përpiqu të zbulosh ku ka filluar, kur ka lindur dhe t’i japësh zë me veten tënde, në ditarin tënd dhe ndoshta në letrën tënde. Asnjë pjesë e mendjes nuk zhvillohet pa arsye, ndaj të ftoj që atë pjesën “djallëzore” që thua, ta dëgjosh dhe të kuptosh çfarë nevoje ka ajo. Shihe si një pjesë tënden që ka nevojë të dëgjohet dhe jo t’i mbyllet goja. Ama të dëgjohet nga dikush që të kupton, jo nga njerëz që nuk kuptojnë ose që e gjykojnë atë. Lëre “fantazinë e shthurur” të lirë dhe ekzagjeroje për të kuptuar ku përpiqet të të çojë (me mendje, sigurisht). E di që ke frikë prej saj, por ajo nuk ka ardhur në jetën tënde kot, pa qëllim. Ka ardhur të të mësojë diçka dhe ne do përpiqemi të kuptojmë çfarë. Nuk e heq dot pa kuptuar zanafillën e saj, funksionin e saj dhe çfarë do ajo prej teje. Le ta zëmë se flirtimi nga djemtë është real. Kjo është një sjellje natyrore e djemve me vajzat (por edhe e vajzave me djemtë), një sjellje tipike edhe për njerëzit, edhe për speciet e tjera, e cila ka si funksion krijimin e pëlqimeve, lidhjeve intime dhe lënien e pasardhësve më vonë në jetë (është biologji e pastër, që patjetër për njerëzit bëhet më komplekse sepse jemi edhe qenie sociale). E shoh si normale që edhe ti të flirtosh, ta pëlqesh këtë gjë dhe të kesh fantazi të caktuara, mendime dhe ndjesi kur je përballë një djali që flirton me ty ose kur je vetëm në shtëpi. Sigurisht, nëse këto janë deri diku të menaxhueshme dhe nuk të kthehen në torturë.
    Këtu më lind një pyetje: a e ke me të gjithë djemtë këtë gjë apo të ndodh me djem të caktuar (që mund të kenë tipare që ty mbase të tërheqin, të pëlqejnë tek një djalë?) Nëse ndodh me të gjithë dhe ti nuk bën dot asnjë dallim, por ke të njëjtën përshtypje sikur të gjithë djemtë po flirtojnë me ty dhe të njëjtin reagim emocional dhe mendor ndaj ngacmimeve të tyre, atëherë kjo mund të sugjerojë një nevojë akoma dhe më të madhe për të plotësuar pikërisht ato nevojat e paplotësuara që kam renditur më lart (pra, është si parim: sa më shumë e tronditur të ndihesh në prani të djemve, aq më e shkëputur je nga të tjerët rreth teje, sepse nuk po e teston realitetin, por po zhytesh në fantazi). E vërteta është se fantazitë mund të të mbrojnë tani deri në njëfarë mase, por mund të vijë një moment që nuk do të mbrojnë më (nuk do jenë “strehë” në njëfarë mënyrë por mund të ndikojnë në sjellje, jo domosdoshmërisht për t’i realizuar ato, por edhe në aspektin e kundërt: mund të sjellin më shumë ankth në prani të djemve ose obsesione që mund të jenë edhe më të ngurta për t’i ndryshuar). Për punën e flirtimit, mund të bësh edhe një “testim realiteti”. A ke provuar të kuptosh realisht nëse dikush po flirton me ty? Në një moment thua që “ndoshta ai dikush as që po flirton fare, por mendja ime ideon diçka të tillë dhe keqinterpreton shenjat më të vogla”… A ke pyetur ndonjë njeri për të konfirmuar nëse dikush po flirton vërtet dhe që nuk është thjesht mendimi yt? Mund ta bësh këtë gjë. Mund të ndash me ndonjë nga shoqet e tua të besuara këtë pikëpyetje tënden. Të inkurajoj ta bësh, pasi kushdo në moshën tënde mund ta bëjë këtë për të marrë një informacion nga një sy më objektiv. Nëse ti nuk ke besim te asnjë nga shoqet e tua, atëherë unë e shoh këtë si një tregues të një vështirësie të madhe që mund të kesh për të besuar te njerëzit në përgjithësi; dhe më beso, nga përvoja ime, e di se mungesa e besimit mund të bëhet shkak për lloj-lloj problemesh dhe vështirësish emocionale dhe marrëdhënore në jetë… Mund të bëhet pengesë për zhvillimin personal, rritjen, arritjet akademike, lidhjet intime etj etj. Ndaj nëse do të punoje për një gjë tjetër në terapi, mund të ishte edhe kjo: krijimi i besimit te njerëzit që ke përreth.
    Marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme mund të krijosh vetëm nëse arrin të besosh tek njerëzit dhe nëse krijon lidhje emocionale me njerëzit rreth teje. E di që ti nuk do që të gabosh, por në jetë edhe mund të gabohet. Dhe shpesh kur përpiqemi shumë të mos gabojmë, atëherë ia shtojmë shanset vetes për të gabuar. Kushdo është i gabueshëm. Një gabim sot është një mësim i vyer nesër.
    Pse mendon se mund të jetë gjenetike “pjesa e pamoralshme”? Çfarë ke parasysh me këtë?
    Unë do të të sugjeroja edhe dy gjëra: 1) Shkruaji një letër vetes tënde të rritur ose/dhe 2) shkruaj një letër për veten tënde në moshën qe je tani nga vetja jote e rritur, psh pas 5 ose 10 vitesh. Si do dëshiroje të ishe, të ndiheshe, të mendoje? Si do doje të ishte jeta jote? Merr pak kohë me veten për ta zhvilluar këtë ide, këtë përfytyrim.
    Merr kohën tënde për të reflektuar dhe për ta vëzhguar veten, për të folur me ndonjë person tjetër dhe për të bërë “minidetyrat” që të kam sugjeruar. Nëse dërgon letër, mund t’i përgjigjem letrës tënde brenda të martës tjetër.
    Të përshëndes dhe të uroj suksese me shkollën për këtë vit,
    Lediona

  3. pa emer says:

    Pershendetjee! Faleminderit per kete leter kaq te detajuar qe me beri te ndihem ndryshe! Pike se pari doja te shtoja qe erdha me vonese per ta lexuar letren tende me idene qe nuk me kishe shkruar,per shkak te pandemise qe te preku edhe ty fatkeqesisht mesa u informova dhe ndaj te uroj te shkuara dhe uroj te jesh mire nga ana e shendetit fizik dhe emocional pas kesaj situate! Letren tende sot po e lexoj dhe me ndihmoi vertet shume me sugjerime per te shkruar letra apo per te perdorur metoda te tjera reflektimi dhe vezhgimi ndaj vetes. Mendoj se duhet te provoj te shkruaj per perjetimet e mia,ndoshta do te me ndihmoje. Une po perpiqem duke marre kohe per veten dhe duke u ngushelluar me faktin qe kjo nuk ka lindur me mua,por eshte krijuar tek une. E di qe duhet te gjej zanafillen e krijimit te saj dhe shume pergjigje te tjera rreth kesaj ceshtjeje,por thjesht kam ndalur te marr pak fryme. Marr fryme me frike nga gjera qe s’dua t’i ndiej por te them te drejten nuk i ndiej gjeresisht. Ne asnje nga grupet shoqerore qe kam krijuar apo kam takuar nuk ka pasur impakte tek une nga djemte qe me rrethojne,qofshin ata te interesuar apo jo per mua. Une do te perpiqem te gjej thelbin e kesaj dhe ato nevoja te paplotesuara qe permende,qe mund te kene mbledhur copezat e tyre per te krijuar ate sferen “djallezore” sic e kam emertuar. Nuk e di nese eshte vertet e tille,por pasigurite e mia me shtyne qe te shihja ngjyra te ndryshme te gjithe kesaj,dhe u ndala te negativiteti,pa mundur te gjej nje shpjegim,dhe kjo solli ankth drejtuar asaj qe une dua te krijoj. Une do ndjek me perpikeri cdo sugjerim tendin dhe do marr parasysh cdo opinion qe ke shprehur. Te falenderoj. Ne nje moment te caktuar une do te rikthehem per te permbushur nevojat per t’u shprehur e per te marre pergjigje apo keshilla. Te uroj gjithe te mirat!
    Perzemersisht,K….

  4. pa emer says:

    Pershendetje psikologe Lediona! Shkruajta serish ne menyre qe t’u jap pergjigje pyetjeve qe ke bere ti ne letren tende te fundit,sepse nese te pergjigjem ti do te me kuptosh dhe nga ajo qe ti do kuptosh une do kuptoj veten. Me ke thene siper se nga buron tek une kuptimi per nje femer te pamoralshme dhe nese njoh dike te tille sa e afert eshte me mua. Ke shume te drejte. Ke arritur te kuptosh nje ndikim te tille tek une dhe nuk e di sa e lidhur eshte kjo me ate qe une po perjetoj por rendesi ka qe te hapem me ty. Eshte dikush,po. Kam nje kusherire teper te afert qe ka zgjedhur nje jete qe nuk duhet ta kishte zgjedhur,por tashme s’me interesojne zgjedhjet e saj,di thjesht qe me kane ndikuar. Ajo sot eshte jashte shtetit dhe supozohet qe po bashkejeton me dike,por ne fakt ajo po “shet veten” per nje pagese kundrejt kesaj,e neveritshme. Mami ma ka shpjeguar jeten e saj vite me pare dhe ne te gjithe mbajme sa me pak kontakte me te,sepse e dime qe jeta e saj eshte nje genjeshter. Bota qe m’u vu perpara syve kur me sqaruan rreth jetes se saj ishte e erret. Ajo sot per mua perfaqeson deshtimin. Por aq e larget sa eshte ajo bote per mua,aq e afert eshte dhe ne aspekt krahasimi:pra gjithmone une kundrejt asaj bote me friken qe kurre te mos bej zgjedhje te gabuara te ngjashme me zgjedhjet e femres ne fjale. Dhe nuk quaj vetem kete gje te pamoralshme,por cdo femer qe eshte e paafte te jete besnike ndaj dikujt. Ajo kurre nuk ishte,derisa arriti shume poshte. Por une enderroj te jem e afte te dua dike,t’i perkushtohem e te krijoj ate qe une dua ne te ardhmen. Enderroj pa fund ne menyre qe te realizohet,por a mjaftojne endrrat? A mjafton zgjedhja ime ne menyre qe une te kem siguri per ate qe do te jem? E di,ndoshta po kerkoj siguri per ate vajzen e 10 viteve me vone dhe duket absurde,por nuk mundem te mos kem frike per te. Me ke pyetur nese me ndodh kjo me te gjithe djemte apo vetem me disa dhe kam vene re qe me ndodh vetem me disa,por keta disa nuk jane persona me te cilet une do te imagjinoja apo kerkoja dicka,dhe as nuk kane tipare qe me bejne mua te terhiqem nga ata,thjesht une fiksohem qe t’i terheq ata,jo vetem fizikisht por ne aspekte te ndryshme me persona te ndryshem. Here kerkoj te pelqehem fizikisht,here kerkoj te dukem interesante ne aspekte te tjera,e mire,gazmore,e lezetshme si person,nuk e di si ta shpjegoj,as vetes nuk ja shpjegoj dot qarte. Me ke thene te mos e struk kete por ta le te shoh deri ku mund te shkoje kjo me mendje,por nuk shkon askund. Thjesht ben pjesen e saj,pra shfaq ate qe do te shfaqe dhe mjaftohet me idene se la nje pershtypje te caktuar,edhe pa marre nje pergjigje nese e ka lene apo jo nje te tille. Pikerisht fakti qe une kurre nuk gjeta nje arsye me beri te drejtohesha te gjenetika,duke menduar se keshtu isha une,por une nuk mund te jem keshtu. The se kjo nuk lindi me mua,kjo u krijua tek une,por pse? Si mundem une ta gjej pse-ne? Pse vazhdoj une te kerkoj vazhdimisht te njejten gje kur une kam pergjigje per veten,pra bota rrethuese me ka provuar per vlerat e mia te brendshme apo te jashtme? Cfare kerkoj une me teper? Kjo ndodh pa e kerkuar une,ndodh papritur dhe une nuk e shmang dot. Une nuk bej asgje,kjo me ndodh pa bere asgje. Nuk e di sa e qarte jam por nuk jam e qarte as me veten. Kjo nuk ndodh shpesh por kur ndodh shkaterron figuren e asaj qe dua te arrij dhe me kete figure nuk nenkuptoj korniza te vendosura,por nenkuptoj deshiren per te qene nje femer e kompletuar dhe e palekundur nga gjera qe vetem nga mendjelehtat mendohen. Tani une nuk di me cfare arsyetimi te jap,kam frike per veten. Une kam edhe nje moter. Kam frike dhe per te ndonjehere. Mendoj per veten dhe dua qe ajo te mos kete pasigurite e mia. Nuk dua qe ai shembull deshtimi i lartpermendur te perseritet ndaj kam friken time dhe te saj. Dua te shkeputem nga keto mendime dhe te kem forcen te arrij ate qe une dua,dhe te kuptoj pse me ndodh kjo. Nuk e di sa lidhje ka ajo qe mua me ndodh me ate qe une te shpreha,por mendoj se ndoshta nuk ka lidhje ajo qe ndodh,por ka lidhje frika ime qe u dyfishua kur keto u mblodhen bashke. Kam nevoje te di si mund te rregullohet kjo,kam nevoje te di si erdhi qe te di si ta heq. Une nuk kam deshire te jem dikush qe nuk i qendron besnike personit qe do vije prane meje ne te ardhmen,nuk dua te jem dikush qe tundohet dhe gabon,nuk dua te jem dikush qe u nenshtrohet impulseve(keto impulse s’duhet te ekzistojne),nuk dua te jem nje femer e paafte per te ndertuar e per te mbajtur te qendrueshme nje raport te caktuar. Por me thuaj,a do te mjaftoje fakti qe une s’kam deshire qe kjo te ndodhe? Eshte e dukshme sa frike kam,por mendon se nese enderroj fort per ate qe dua do mundem ta arrij? Valle a do te mundem te ndertoj dhe une ate familjen aq te enderruar si cdo femer e te jem besnike jo vetem me vepra por edhe me mendje? A do te vije dita kur kjo te jete dicka adoleshentesh dhe une te kerkoj respekt nga bota mashkullore e jo nje vemendje qe as me hyn ne pune? Dua shume qe ajo dite te vije. Nuk po kerkoj shume. Po kerkoj thjesht te jem ajo qe une dua te jem. Per letren qe me keshillove,e kam menduar shume here ate vajzen e 5 apo 10 viteve me vone. Por a do te jete ajo qe une kam imagjinuar dhe a do ta realizoj une krijimin e saj duke e mbajtur ate si figure udheheqese? Duhet perpjekje,por s’di si. Nuk dua shume,dua te jem thjesht nje femer normale. Eshte normale qe rrethanat ne karriere apo aspekte dytesore te mos jene fikse si ne mendjen time,por nuk eshte normale qe une te krijoj dicka te shemtuar te vetja,ndryshe nga ajo qe kam imagjinuar. Me thuaj keshillat,opinionet dhe cfare duhet/mund te bej. Me ndihmo me aq sa mundesh. Te pershendes
    Perzemersisht,K.

  5. pa emer says:

    Pershendetje Stafi Nuk Je Vetem! Te pakten me informoni kur mund te marr nje pergjigje

    1. Nuk Je Vetem says:

      Pershendetje,
      E kuptoj nevojen tende per te patur nje pergjigje sa me te shpejte nga Psikologia, ne ja kemi derguar pyetjen dhe jemi ne pritje te pergjigjes sapo ajo ta nisi ne do ta postojme direkt.

      Faleminderit per mirkuptimin,
      Stafi i Nuk je vetem

  6. MSc. Lediona Braho says:

    Përshëndetje K.,
    Uroj të jesh pak më e qetë pas letrës së fundit që më ke shkruar. Në një moment shkruan “këto impulse nuk duhet të ekzistojnë”, por ato janë brenda teje dhe “shërimi” i pjesës që ka frikë fillon pikërisht nga njohja dhe pranimi i ekzistencës së këtyre impulseve. Oscar VVilde ka një shprehje “E vetmja mënyrë për t’u çliruar nga një tundim është duke iu nënshtruar atij”. Në thelb, besoj se ka dashur të thotë se nuk mund “ta heqësh qafe” një ndjenjë ose një impuls/ dëshirë pa e përjetuar atë (qoftë edhe në fantazi), sepse ka një arsye pse ka lindur dhe vazhdon të ekzistojë. Shembulli i kushërirës së largët na tregon sesa ndikim mund të kenë historitë e njerëzve të afërt apo të njohur në jetën tonë, sidomos kur këto histori na janë servirur në një moshë të vogël apo të re dhe të shoqëruara me komente me përmbajtje të fortë emocionale nga prindërit. Po të shkojmë pak më thellë, mund të kuptojmë se reagimet me frikë të prindërve (mamit në këtë rast) nddaj sjelljeve të kushërirës apo sjelljeve të ngjashme mund të kenë imponuar direkt dhe indirekt frikë tek ty. Tipikisht, frikërat e prindërve transmetohen tek fëmija dashje pa dashje dhe shpesh në terapi mund të shohim se frika e personit që kërkon ndihmë është pjesërisht frika që ai/ajo ka “gëlltitur” nga prindërit e tij. Ndoshta edhe një pjesë e frikërave të tua janë në fakt, frikëra të brendësuara të frikërave të mamit dhe një nga mënyrat sesi mund të bësh paqe me to është të kuptosh sa prej frikës që ti ndjen është e jotja dhe sa është e mamit (që është gëlltitur pa u përpunuar, siç na ka ndodhur të gjithëve gjatë rritjes). Ndarja e vetes nga të tjerët është një proces që nis herët por mund të vazhdojë për pjesën më të madhe të jetës, në sajë të përvojave, rritjes, dështimeve dhe sukseseve, terapisë dhe rritjes personale. Ndoshta në mënyrë klishe mund të them se pa provuar dështimin nuk mund të ecet përpara. Të duash të shmangësh një dështim jo domosdoshmërisht do të sjellë shmangien reale të dështimit. Ndryshe janë gjërat në teori dhe në nivelin racional, ndryshe në praktikë dhe në nivelin emocional. Mirë është që emocionet t’i përdorësh si çelësa për të eksploruar brenda vetes tënde, për të kuptuar nevojat e paplotësuara të cilat shpesh nuk duan t’ia dinë për ato që thotë arsyeja. Njeriu është më tepër qenie emocionale dhe ndjesore sesa racionale dhe shpesh veprimet dhe vendimet mund t’i marrë për shkak të emocioneve që ndjen dhe jo për shkak të asaj që pohon arsyeja. Me këtë nuk dua të them që emocionet do çojnë ne vendime të drejta gjithmonë, por do të çojnë në rrugë të cilat qenia, për t’u rritur dhe për t’u plotësuar në të gjitha nevojat e saj (trupore, mendore), i ka të nevojshme. Është si të duash të hedhësh dritë në një tunel të thellë dhe sa më thellë që të shkosh aq më shumë gjasa ka që rruga të bëhet më e vështirë. Ajo që mund të lehtësojë eksplorimin është aftësia për t’u futur thellë por edhe për të dalë dhe për të parë dritën përreth, sa herë është nevoja. Pra, më konkretisht, eksplorimi brenda vetes i mendimeve, fantazive, dëshirave të papranueshme etj. mund të bëhet gjatë gjithë jetës, por paralel me këtë, është e nevojshme të ecësh “mbi tokë” dhe të lidhesh me realitetin e njerëzve dhe gjërave përreth në të përditshmen tënde. Nëse kjo aftësi lëkundet shumë, atëherë terapia dhe mbështetja psikologjike bëhet shumë e nevojshme. Mund të përpiqesh përsëri për ta vendosur veten në rolin e vajzës që ti dëshiron të jesh, 5 apo 10 vite më vonë dhe ta lesh imagjinatën të lirë për të treguar sikur po flet në kohën e tashme. Patjetër është një ushtrim që mund ta bësh me dëshirë dhe pa imponim, mjafton të përpiqesh pak për këtë. Ajo mund të ketë arritjet, por edhe frikërat dhe vështirësitë e saj, çka është normale. E shoh që ke shumë nevojë për një guidë të vazhdueshme se çfarë të bësh, si të sillesh etj etj. dhe do të të sugjeroja ta zgjeroje rrethin e personave tek të cilët mund të mbështetesh për t’u ndjerë më e sigurt në hapat e tua. Këta mund të jenë persona realë në jetën tënde me të cilët ti ndjen se ke një marrëdhënie mjaftueshëm të mirë dhe të dobishme për validimin e ndjenjave dhe mendimeve të tua, si dhe për inkurajimin për të punuar me veten dhe për të ecur përpara. Unë shoh që ti po ushtron një lloj presioni ndaj vetes dhe po ndjen frikë për të ardhmen, çka është normale për të gjithë deri në njëfarë mase, por mendoj se duke menduar shumë për të ardhmen ekziston mundësia që të humbasësh prej të tashmes tënde. Ndaj të sugjeroj të provosh të bësh gjëra që të japin vetëpërmbushje në mjedisin tënd, me njerëzit që të rrethojnë; nëse ndjen se nuk janë mjaftueshëm, provo të bësh përvoja të reja të cilat do të të mësojnë gjëra të tjera për botën dhe gradualisht do të të ndërtojnë vetëbesimin. Aftësitë ndërtohen duke i praktikuar, duke provuar, duke gabuar dhe jo duke menduar për to. Mungesa e veprimit mund të sjellë frikë dhe pasiguri të shtuar, ndaj t’ia nisësh nga gjëra të vogla që të përmbushin, mund të jetë një ushtrim i domosdoshëm sot dhe që do të të ndihmojë nesër. Pra, në thelb, unë të ftoj që çdo ditë ti të përpiqesh nga pak të bësh diçka sado të vogël që të afron me atë “imazhin ideal” që ke për veten tënde. Uroj të vazhdosh ta thellosh besimin tek vetja jote, te aftësitë e tua dhe të mendosh për të përfshirë persona të tjerë në jetën tënde, me të cilët ke ose mund të kesh marrëdhënie të qëndrueshme. Njeriu është qenie shoqërore dhe mund të rritet e të bëhet i plotë vetëm brenda marrëdhënieve pozitive dhe përmbushëse. Pa këto marrëdhënie njerëzore, jeta jonë emocionale është më e varfër dhe ankthi/ frika më të mëdha. Ndaj në fund të kësaj letre, dëshiroj të të inkurajoj që të përpiqesh pak më tepër në sferën e marrëdhënieve, duke adresuar shumë prej nevojave të tua brenda marrëdhënieve pozitive që ti mund të kesh me personat e rëndësishëm rrotull teje. Gjithashtu, të përpiqesh të jesh aty edhe për nevojat e personave të tjerë aq sa të mundesh, pasi çdo marrëdhënie nënkupton “marrje” dhe “dhënie”. Nëse kërkon të marrësh siguri dhe mbështetje, do duhet ta kërkosh atë në mënyra që do të rrisin shanset që t’i marrësh këto.
    Uroj të të kem ndihmuar përmes kësaj letre.
    Të përshëndes,
    Lediona

  7. pa emer says:

    Pershendetje dhe faleminderit per pergjigjen! Une jam shume e deshperuar. Ende vazhdoj pyes veten nese ka ndonje perqindje mundesie qe lloje te tilla impulsesh te jene gjera qe trashegohen ne baze te lidhjes farefisnore,sepse vetem duke ditur kete pergjigje une mund te kuptoj se si duhet te sillem me kete pjese te vetes. Une kam shume frike. Frika ime eshte ne kulm. Thua se duhet te punoj per te arritur idealin,por une nuk gjej dot forcen sepse kam frike nese nuk mundem ta arrij. Kam pyetur me siper qe a mjafton fakti qe une nuk kam deshire te deshtoj,dhe mesa shoh nuk mjafton. Po i nenshtrohem dickaje qe nuk dua te me ndodhe dhe kam frike sepse vitet ikin,dhe nuk e di sa do mundem une te bej brenda kesaj kohe. E di qe eshte normale te pesosh disfata,deshtime,gabime,por jo kete lloj deshtimi. Ky deshtim eshte denim per mua dhe per ate qe une dua te arrij. Ky deshtim eshte deshtim qe devijon nga rruga e drejte apo rruga qe une pres te ndjek. Ndihem kaq e deshperuar,e frikesuar dhe nga vetja ime dhe mbi te gjitha vetem,sepse une nuk mund te flas me askend lirshem per kete teme. Dua vertet te flas me dike,por s’di si ta shpreh gjithe kete. Jam thjesht shume e lodhur dhe te gjitha gjerat po ngaterrohen se bashku. Po mundohem te qetesoj veten sepse ndonjehere ankthi me bllokon ne kraharor dhe nuk mundem as te qaj. Nuk e di ne eshte me mire ta kuptoj ate pjese te vetes apo ta ndrydh,por di vetem se eshte e veshtire te ndrydhet por gjithashtu e veshtire te mirekuptohet nga une. Dua qe ajo pjese te shkoje. Mundohem vazhdimisht te kerkoj dallime midis meje dhe personave te pamoralshem ne mendjen time,ne menyre qe te arrij ne perfundimin qe une nuk ngjaj dhe nuk kam pse te ngjaj me ta,ndaj dua te di nese ky aspekt eshte dicka qe trashegohet. Une nuk dua te jetoj nese jam e tille. Dhe per kete nuk ka ngushellim te mundshem sepse e kam fare te qarte qe une kurre nuk do kem respekt per veten nese jam e tille. Por me ke thene qe kjo eshte dicka qe eshte krijuar,dua te ma perserisesh,dua te kuptoj nese eshte dicka e percjelle apo dicka qe thjesht u krijua tek une pa patur lidhje me pjesen gjenetike,dua vertet te kem nje pergjigje per kete. Dhe nese eshte e krijuar,si mund te kuptoj nga erdhi,pse erdhi,dhe si te ike tashme,sepse po me torturojne keto mendime. Une kam nje moto:”Mos u ndal derisa te besh veten krenare!” Une nuk do te ndalem,por a do te sherbeje lufta dhe me cfare arme duhet te luftoj une kunder vetes? Une dua ta bej veten krenare,por nese une i nenshtrohem dickaje qe nuk e dua,jo vetem qe s’do e bej veten krenare,por as nuk do ta dua me veten. Thone se duhet te jemi me veten ne cfaredolloj sfide qe Zoti na sjell,por une kam frike nga kjo sfide,dua qe ajo te kete perfundimin qe une dua te kete.
    Do te doja nje pergjigje,sepse e gjithe kjo po me mbyt. Nuk di si ta trajtoj veten,cfare te bej e cfare te mendoj,sepse cdo gje qe bej sot eshte nje perfundim per neser. Me ndihmo duke me bere te ditur se cfare duhet te bej per ta larguar kete nga vetja.

  8. pa emer says:

    Kam nevoje per nje pergjigje. Kam presion te madh ne mendjen time. Jam lodhur.

  9. pa emer says:

    Pershendetje psikologe Lediona! Ndoshta ende nuk ke lexuar letren time me siper,por ndjeva nevoje per t’u shprehur permes nje letre tjeter. Kam frike kur me ndodh dicka e tille me disa djem. Une nuk kerkoj lidhje,as raporte te cfaredolloji qofshin ato ne kete aspekt,une thjesht kerkoj vemendje,kerkoj te ndihen te terhequr nga une,apo edhe kerkoj te dukem interesante. Nuk e di cfare eshte dhe nuk arrij ta kuptoj. Me the se mund te jete nje nevoje e paplotesuar qe e sjell kete tek une,por nuk ndiej se kam nevoja te paplotesuara. Eshte hera e pare qe jam kaq konfuze dhe hera e pare qe nuk arrij as te gjej arsye te vetja. Eshte kaq e veshtire te mos e kuptosh veten dhe sado te perpiqesh te mos arrish ta shmangesh kete. Ne momentin qe dua te dukem interesante para dikujt nuk bej asgje te madhe,thjesht ndihem mire kur e mendoj kete dhe me duket sikur po ndodh. Nuk arrij ta kuptoj kete. Nuk arrij ta shmang. Me eshte dukur normale te duash te shfaqesh e bukur apo e zgjuar para dikujt qe realisht te pelqen dhe ne nje rast fare te afert ne kohe mendova qe ishte vertet dicka e tille,pra nje pelqim,sepse po ta mendosh ne kete ane arrin te justifikosh ate qe ndodh,por ne fakt nuk arrij ta justifikoj,sepse une ndjeva te njejten deshire per ta bere kete gje me dike tjeter. Domethene,kjo me con ne nje rezultat qe une nuk jam e qendrueshme ne kete aspekt. Hera e pare qe preferoj dhe mendoj se eshte me mire te jete dikush ne jeten time,sesa te jem pa ndjenja per askend,sepse eshte me mire te pelqesh dike sesa te mos arrish te kuptosh se kush te pelqen,dhe te torturosh veten a je apo jo e afte te pelqesh dike sinqerisht. Jam konfuze dhe e zemeruar me veten. Njekohesisht dua ta kuptoj por nuk kam nje pergjigje,nuk arrij ta kuptoj as edhe pak. Ndonjehere si ngushellim them me vete qe eshte dicka qe ndodh ne adoleshence,por kam frike se mos kjo nuk largohet me adoleshencen. Une kam frike ta le pas dore si dicka te parendesishme,sepse duhet ta largoj nga vetja. Kam frike te vazhdoj ta mbaj kete perbrenda. Ndiej sikur askush nuk ka problem me te madh,sepse e di qe askush nuk ndihet keshtu si une. Shoqet e mia cuditen kur ua them pjeserisht,sepse eshte dicka deri diku pa kuptim dhe nuk e di pse e perjetoj. Nuk i besoj vetes,sepse vetja ime eshte duket si nje pende qe shtyhet fare lehte nga era. Mbi te gjitha nuk arrij ta kuptoj cfare qellimi ka e gjithe kjo kur une nuk kerkoj te arrij asgje,thjesht dua cmendurisht te jem e rendesishme apo interesante per dike. Do te ishte mire te ishte thjesht dikush. Jam konfuze. Mund te me ndodhe edhe me ndonje shok,sot me ndodhi per shembull,dhe ndihem keq qe une si vajzat e tjera nuk jam e afte ta perjetoj me te gjithe djemte kuptimin e nje shoqerie te sinqerte,pa mendime te tjera ne koke. Nuk arrij ta kuptoj veten dhe nuk kam me durim. Kam nevoje ta zgjidh kete. Do te te lutesha te me ktheje nje pergjigje pasi te kesh lexuar dy letrat e mia rreth kesaj ceshtjeje.
    Perzemersisht K.

  10. pa emer says:

    Pershendetje stafi! A mundem te pakten te di se kur mund te marr nje pergjigje? Faleminderit!

    1. Nuk Je Vetem says:

      Pershendetje
      Uroj te jesh sa me mire. Letrat i jane derguar psikologe Lediones, sapo te marrim nje pergjigje do ta publikojme.
      Faleminderit
      Stafi i Nuk je vetem

  11. MSc. Lediona Braho says:

    Pershendetje K,

    Uroj te jesh mire! Kerkoj ndjese per pergjigjen e vonuar.

    Shoh qe je e shqetesuar dhe e kuptoj nevojen tende per te “hequr” nje pjese qe nuk ia pranon vetes.

    I lexova letrat e tua me vemendje dhe do te te ftoja ne nje eksplorim me tej permes ketyre pyetjeve:

    Se pari, nga kush mund te jete trasheguar kjo prirje? Mund te sjellesh ndermend njerez me te cilet mendon se ke njefare ngjashmerie ne kete aspekt? Çfare mendon per ta/to? Kuptoj qe behet fjale per persona me sjellje te cilen ti e konsideron te papranueshme dhe te pamoralshme.

    Se dyti, ne cilat menyra perveç renies ne sy dhe pelqimit nga djemte je duke e plotesuar ose mund ta plotesosh nevojen per t’u ndjere e rendesishme dhe interesante? (Kam parasysh komentin tim ne letren e meparshme lidhur me “nevojat e paplotesuara” qe ti e ke permendur ne letren tende te parafundit – ne fakt jo gjithnje jemi te vetedijshem per nevojat tona por gradualisht me ndihme mund te kuptosh me shume per to).

    Ne fund, po nenvizoj idene qe çdo mendim, emocion apo sjellje ka arsye te caktuara perse eshte formuar dhe duke kuptuar keto arsye jemi nje hap perpara drejt “zgjidhjes”. Mirepo, zgjidhja vjen gradualisht dhe nuk varet vetem nga deshira apo vullneti yt. Dhe shpesh kerkon nje pune me te thelle te cilen nuk mund ta besh e vetme.

    Perzemersisht,

    Lediona

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV