fire5 18.08.2023
jam e shqetsuar per ate cka jam formuar dhe cfare prezantoj tek te tjeret ,me teper shqetesim per veten pasi jam duke e munduar shume jam e vetdijshme qe veproj gabim
dhe se meritoj ta trajtoj veten time ne kete menyre dhe prape vazhdoj e bej pasi eshte gjithmone nje ze ne koken time qe thote ti nuk je thjesht kaq je akoma shume edhe me larte .kam nje vlersim teper te larte per veten por gjithashtu ne te njejten koh edhe super te ulet mendoj se e njoh shum mire veten time mendoj se e di madhesine e forces time si njeri , as nuk e di fare ne fakt as nuk e di se deri ku do te shkoj ky idealizim qe i bej vetes qe jam m e mire se cdokush tjeter nuk e di me tremb ky fakt me tremb sepse gjithmone perfundoj duke lenduar veten time ne fund dhe dua qe te ndryshoj.
pyetja ime eshte a do behem dot rob normal dhe si te nis te ndihem normale
ps do doja mos te postohej , nqs ky portal eshte akoma ekzistent 😉
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje,
Faleminderit që na shkruajte dhe ndjesë për vonesën në përgjigje.
Vlerësoj shumë reflektimin tënd mbi veten dhe vërej një dëshirë për ta ndihmuar atë. Duket sikur nga njëra anë të mbizotërojnë kritika dhe standarde të larta për veten dhe në momentin që sheh se ndoshta pritshmëritë e tua në lidhje me këto standarde nuk plotësohen, kompesohen me ndjenja inferioriteti dhe vetëvlerësim të ulët. Me pak fjalë, dy pjesë që kanë si qëllim të plotësojnë njëra tjetrën. Unë do të ftoja të më tregoje pak më shumë në lidhje me këto pjesë. Me cfarë lidhen kryesisht këto pjesë? Për cfarë je ti më shumë dhe më lartë? Si janë ato mendime që lidhen me vetëvlerësimin tënd të lartë? Kur ndodhin kryesisht ato? Në lidhje me cfarë je ti më e mirë se të tjerët? Përpiqu të identifikosh edhe këto mendime që lidhen me vetëvlerësimin tënd të ulët. Kur ndodhin ato? Si janë ato? Pasi identifikon mendimet e tua, merr pak kohë dhe pyet veten se sa të verteta janë këto mendime? Sa fakte ke ti për cdo mendim? Si të bën të ndihesh secili mendim?
Vër re se si mendimet e tua ndikojnë në mënyrën se si ti ndihesh. Kam përshtypjen se ky cikël vepron si mekanizëm mbrojtës për ty. Në momente që ke mendime negative, përjeton emocione negative. Që të ndihesh më mirë, të duhet të kalosh në skajin tjetër dhe të rrisësh vetëvlerësimin. Pra, të dy skajet ushqejnë njëra tjetrën. Të sugjeroj që sa herë e kap veten në njërin prej skajeve, përpiqu të jesh sa më objektive me veten. Ti mund të kesh gjëra që ke realizuar, që dëshiron t’i realizosh dhe të tjera gjëra që ende nuk janë realizuar, por që mund të mësosh t’i realizosh. Përpiqu të dalësh nga këro skaje, duke u fokusuar në të tashmen (Tani dhe Këtu) dhe mendimi për veten të bazohet në fakte reale. Sigurisht që nuk është e lehtë, por ndoshta interpretimi im më lartë dhe ushtrimi i dhënë mund të të ndihmojë. Gjithashtu, profesionistë të shëndetit mendor, psikolog klinik apo psikoterapist, do të të ndihmonin në reflektim dhe në punën me veten.
Kujdesu për veten!
Bylyre Serjanaj, Psikologe Klinike