Pseudonim 12.10.2020
Pershendetje jam nje adoleshente dhe dua te ndihmoj nje shoqe sepse kohet e fundit nuk do te hapet me asnje shikon makthe nuk flet me familjaret dhe ne momentin qe e keshillova per te folur me nje psikolog tha qe nuk mundet do te doja shum ta ndihmoja ndaj dhe po ju shkruaj qe sado pak te marr informacion dhe ta keshilloj do te isha shum e lumtur ne qofte se me ndihmoni
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur,
E kuptoj që je e shqetësuar për shoqen tënde dhe të inkurajoj ta ndihmosh atë sa të mundesh.
Përpiqu t’i qëndrosh afër, nëse nuk dëshiron që të shprehet, mund të jetë më ndihmuese nëse
thjesht rrini bashkë, nëse dilni një shëtitje apo bëni ndonjë gjë që juve të dy ju pëlqen. Ftoje dhe mos e lër vetëm, në mënyrë që ajo të ndiejë dhe të kuptojë që ti je vërtet i interesuar për ta
ndihmuar. Me gjeste dhe veprime të përditshme do mund ta ndihmosh si shoqe/ mike.
Sugjerimi yt që ajo të flasë me një psikolog është shumë i mirë, megjithatë nëse ajo nuk mundet,
përpiqu të kuptosh pse. Një alternativë ndihme falas është ndihma përmes letrave ose chat-it këtu
në nukjevetëm.al. Në faqen tonë e ke të shpjeguar sesi funksionon dhe mund ta drejtosh këtu
shoqen tënde. Gjithashtu, ka shërbime falas të ndihmës për të rinj që kanë nevojë, duke filluar nga shkolla deri te qendra të ndryshme sociale. Interesohu në qytetin ku banoni dhe mund të gjesh diçka për t’ia rekomanduar shoqes.
Një sugjerim tjetër është që t’ia shprehësh asaj mënyrën sesi ndihesh, duke i thënë sinqerisht që
je e shqetësuar për të dhe se do bëje çmos për ta ndihmuar.
Nëse mendon se nuk do të ndryshojë diçka pas këtyre, mbase do ndihmonte të flisje me familjen
e saj (duke e vënë në dijeni shoqen tënde fillimisht).
Nëse ndjen se mund ta përballosh këtë situatë, të uroj forcë dhe kurajë! Nëse ndjen se ke një
peshë të madhe përsipër, të sugjeroj ta ndash edhe ti me dikë në rrethin tënd familjar ose shoqëor
dhe me një profesionist.
Uroj të shkojë sa më mbarë!
Përzemërsisht,
Lediona Braho
Psikologe