Këshilla/Blog

27.06.2016

Pershendetje! Jam nje vajze 22 vjecare dhe nuk ka shume qe jam martuar. Kjo ishte gjeja me e bukur qe me ka ndodhur , por vetem ne fillim. Burri im eshte 27 vjec por ai eshte shume i papjekur. Nuk punon, studimet i ka lene pergjysem, ka vetem deshire te qendroje ne shtepi duke pare televizor e fjetur dhe te dale per kafe, por jo per te kerkuar pune. Ai me thote qe i duket vetja shume i ri qe eshte martuar, qe nuk eshte i gatshem te marre pergjegjesi, keto mi thote pasi jemi martuar. Ne jetojme me prinderit e tij dhe per fat te keq edhe une ende nuk kam gjetur pune, dihet situata ne vendin tone per pune dhe ata jane shume autoritare. Nuk mbaj mend sa here na permendin qe “na mbajne me buke” dhe sa keq ndihem per kete cdo dite. Ndihem shume shume keq. Cfare te bej , si t’ja mbush mendjen per te punuar dhe per te lene dhe ate shtepi e per te jetuar vetem bashke? Une jam njeri shume i qeshur dhe miqesor por u be disa kohe qe po me hiqet deshira per te jetuar po vazhdoi keshtu ndjej se do te bie ne depresion, ose me sakte jam gjysem ne depresion.
Ju faleminderit ne avance,
gjithe te mirat!!

  1. MA. Almandina Guma says:

    Përshëndetje e dashur

    Faleminderit për letrën tënde dhe që na ke adresuar shqetësimin tënd.

    E kuptoj shumë mirë që situata jote është stresuese emocionalisht dhe e vështirë për shumë arsye që ti i përmend në letrën tënde, por ajo që më vjen mirë është që ti ke deshirën, vullnetin për tu marr e për të zgjidhur situatën në të cilën ti je, përndryshe nuk do të na shkruaje.
    Është normale që situata e vështirësi të tilla të të mpakin vullnetin e durimin, por edhe të dërrmojnë emocionalisht.

    Ti marrim me radhë problematikat që ti po na referon.
    Ti përmend se marrëdhënia me bashkëshortin tënd ka qenë e mirë fillimisht e për momentin është bërë e vështirë qoftë komunikimi, por edhe pjesa e tij e angazhimit dhe përkushtimit e madje ai ka shprehur edhe hezitimet ose reflektimet e tij.

    Do të ftoja të komunikoje hapur me të, me shokun tënd, por duke mos e vendosur tjetrin në lenten e fajit dhe përgjegjësisë, por duke ndryshuar edhe formën e komunikimin. Zakonisht ne komunikojmë duke ju drejtuar tjetrit me “ti” për cfarë ai nuk po realizon Psh “ti spo punon, ti s’më kupton”. Kjo e vendos tjetrin në një pozitë ku ndihet i pafuqishëm e i pamjaftueshëm për të ndryshuar dicka. Është më e dobishme që ti ti shprehesh se si ndihesh ti, duke i folur me “unë”. Psh “unë nuk ndihem mirë që jemi në këtë situatë, besoj edhe ti nuk ndihesh mire” në të njëjtën formë me të cilën po na drejtohesh edhe neve. Në një marrëdhënie është e rëndësishme të kuptosh prespektivën e tjetrit dhe aq më tepër që me sa duket as ti dhe as ai nuk është se jeni shumë të kënaqur nga jeta juaj aktuale.
    Komunikoni ndryshe, komunikoni emocionalisht, uluni bashkë e flisni e mendoni se cfarë doni të bëni bashkë.
    Pas kësaj është e rëndësishme të reflektoni të dy në rast se mund të ofroni zgjidhje të përbashkëta ku secili të marr përgjegjësi a veprime të vogla a të mëdha, për të filluar punë, për të qenë më pozitivë me njëri tjetrin emocionalisht etj. Ose për të qenë të sinqertë në rast se gjërat nuk po a nuk do të funksionojnë.
    E kemi në dorë vetë që nëpërmjet komunikimit të afrojmë ose të largojmë njerëzit përreth nesh.
    Përsa i përket prindërve, mendoj se edhe për ta nuk është e lehtë dhe një komunikim i hapur dhe i sinqertë me ta do të ndihmonte të dyja palët, duke folur edhe për mënyrën se si ndiheni ju e se si ndihen ata.

    Mendoj që është e nevojshme të bëhen gjërat mbi të cilat kemi kontroll dhe komunikimi është një prej tyre po ashtu si dhe ndryshimi i perceptimit e fokusit ku kjo situatë në fakt duhet të zgjidhet me një angazhim të të gjitha palëve.

    Të uroj gjithë të mirat dhe mos hezito të na kontaktosh në rast se ke nevojë sërish,
    Faleminderit,

Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.

NJV