Ana 14.10.2019
Pershendetje
Kam 3 muaj qe nuk ndihem mire shpirterisht
Mendoj disa here ne dit menyra se si te vdes
Kisha nje lidhje qe perfundoj pa arsye dhe ky ishte fillimi i gjithckaje. Sikur te mos mjaftonte kte vit ngela stazh sepse jam ne universitet .jam ne presion te vazhdur nga babai i cili mendon qe jam nje prostitut prandaj kam ngelur
Eshte i turpruar qe jam vajza e tij
Nderkohe me ka caktuar nje afat kohor qe te gjej pune ose perndryshe do qe te mbyllem ne shtepi
Jam ber nje person shum i dobet dhe me duket se nuk mund ti perballoj dot te gjitha kto situata
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Ana,
E shoh që ke kaluar një periudhë shumë stresante dhe e kuptoj mjaft mirë sesi ndihesh. Kaq shumë ngarkesë dhe përgjegjësi do lodhnin dhe do dëshpëronin këdo. Më vjen keq për ndarjen, por shpresoj që të kesh marrë vendimin e duhur dhe në të mirë të vetes tënde.
Ajo për të cilën më vjen më shumë keq është fakti që nuk ke mbështetje nga babai yt. Në një situatë të tillë, do ishte tepër e nevojshme që ai dhe familjarët e tjerë të të mbështesnin maksimalisht, jo të të kritikonin për gjendjen tënde. E di që ndjehesh e trishtuar, e turpëruar dhe në faj, por nuk është faji yt për gjithçka.
Unë jam e shqetësuar për mirëqenien tënde, ndaj të inkurajoj fort që të flasësh me një person më të rritur, mbështetës, brenda familjes ose në rrethin e ngushtë familjar, që të të ndihmojë për ta përballuar këtë situatë të vështirë. E di që ndjehesh e dobët dhe që po mendon të heqësh dorë, por unë besoj se je më e fortë se kaq. Zgjidhja duhet të vijë nga ty. Askush nuk mund të të dojë më shumë sesa ti mund ta duash veten.
Çfarë mund të bësh për të dalë nga kjo situatë? Mendo: Kush mund të të japë një dorë, për të gjetur një punë, për të dalë dhe për të shijuar pak jetën jashtë? Me kë mund të flasësh dhe t’i besosh brengat e zemrës tënde? Eja bëjmë një plan së bashku se nga mund t’ia fillojmë, që ti të fillosh të ringrihesh. Pastaj mendo, sa mundësi ka të flasësh hapur me babin dhe t’i kërkosh atij të parit ndihmë? Babai duhet të jetë aty për fëmijët e vet e nëse nuk mundet të jetë, atëherë duhet të mbështetesh diku tjetër, te një person që të do dhe të pranon pa kushte dhe nuk ta vë lakun në fyt.
Çdo njeri do kohën e vet, si për të mbaruar universitetin, si për të mbaruar një punë. Jo të gjithë e mbarojnë shkollën në kohë, por kanë nevojë për më shumë kohë. Merre kohën që të nevojitet, gjej forcë dhe ulu të lexosh për të hyrë në provime. Mendo: çfarë dua të bëj në jetë? Si dua të jem pas 5 vitesh? Çfarë qëllimesh i vura vetes kur e nisa shkollën? Si mund të bëhem më e mirë seç jam? Si mund të kontribuoj për familjen time dhe shoqërinë? Ulu me veten tënde dhe përfytyroje të ardhmen.
Më tej, mendo se cilët njerëz të nevojiten për t’i realizuar këto qëllime. Asgjë nuk është e pamundur, por duhet filluar diku. Fol me pedagogët e tu. Lexo dhe bindi që ti po përpiqesh vërtet. Qëndro afër njerëzve që të duan dhe të inkurajojnë për të vazhduar. Mendo kujt mund t’i kërkosh ndihmë për të filluar një punë. Kërko dhe apliko kudo që të jetë. Fillo nga një punë e thjeshtë dhe pajtohu me kushtet. Fol me një shoqe/ një shok. Merr në telefon një teze apo një hallë, që e di se mund t’ia besosh gjërat. Mos rri vetëm, por zgjatu drejt njerëzve. Jam shumë e bindur se nëse fillon që tani të shtrish dorën dhe të lëvizësh, gjërat do përmirësohen. Më shkruaj nëse do kesh nevojë për ndihmë nga unë. Te faqja ke shumë ekspertë dhe shërbime ndihme që mund t’i aksesosh falas.
Të uroj shumë forcë dhe besim në vetvete,
Përzemërsisht,
Lediona