Ajo 21.03.2020
E shkuara me mban peng. Fatkeqesite e se shkuares duket sikur spo me lene te eci perpara dhe cdo gje po shkon si me keq. Qaj pafund, me merret fryma, merzitem, trishtohem dhe pa arsye. Mendoj se po kaloj ne depresion.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Pershendetje,
Falemidnerit qe na keni kontaktuar. Me vjen keq qe jeni duke kaluar te tilla veshtiresi emocionale. Pyetja juaj i eshte derguar ekspertes dhe se shpejti do te merrni nje pergjigje.
Gjithe te mirat.
Perzemersisht,
Stafi Nuk Je Vetem
Përshëndetje,
Faleminderit që e ndan shqetësimin tënd me ne. Më vjen keq që ndihesh kështu dhe për fatkeqësitë që ke kaluar. Besoj aty mund të zënë fill shumë prej përjetimeve negative që ke tani dhe ndoshta edhe vetë ke arritur ta bësh këtë lidhje. Madje, kjo del më qartë që në fillim të letrës tënde kur thua “E shkuara më mban peng”. E vërteta është se shumë shqetësime që ne mund të përjetojmë sot e kanë fillesën në të shkuarën, te ngjarjet negative që na kanë ndodhur. Sa më të forta këto ngjarje, aq më të mëdha efektet e tyre gjatë kohës kur kanë ndodhur, por edhe kohë më vonë (muaj ose vite).
Duke shprehur gjithë keqardhjen për dhimbjen që ke kaluar dhe mbështetjen time për këtë që ti po përjeton sot, mund të të jap vetëm disa sugjerime si fillim:
Së pari, ku dëshiron të shkosh? Vizualizo një skenar në të ardhmen të cilin ti beson se do ta përjetosh, një të ardhme të sigurt të cilën ti e di se do ta kesh.
Së dyti, fillo të mendosh “çfarë do të më duhet për të shkuar atje?” dhe bëj një listë të njerëzve dhe gjërave që të nevojiten për të shkuar te e ardhmja që përfytyrove.
Së treti, kontakto me këta njerëz dhe fillo të bësh disa nga gjërat e nevojshme. Kërko ndihmë nëse nuk i bën dot. Mbështetu te njerëzit që mund të të ndihmojnë t’ia dalësh mbanë.
Këtu po shtoj se një ndër këta njerëz mund të jetë një psikolog ose një këshillues, për të cilin mund të kesh shumë nevojë në këtë periudhë, për t’u përballur me emocionet e vështira dhe për t’u fuqizuar.
Së katërti, përpiqu të mbash një ditar për të shkruar ndjesitë e ditës, për të organizuar mendimet, për të vendosur qëllime ose për të shkruajtur në fund të ditës të paktën dy gjëra pozitive që ke menduar ose bërë gjatë asaj dite.
Së pesti, mundohu të bësh një organizim të ditës tënde nga mëngjesi deri në mbrëmje ku të përfshish aktivitete që i ke përzemër, që të japin kënaqësi (lojëra, filma, arte të ndryshme, ushtrime, lexime, etj.) Kur jemi të trishtuar, zakonisht nuk i bëjmë gjërat që na kënaqin dhe nga mbushin. Përpiqu të ngrihesh dhe të fillosh nga diku.
Së gjashti, nëse ndien se nuk ke fuqi të bësh disa nga gjërat që sugjerova më lart, atëherë drejtohu te një psikolog për të kërkuar ndihmë. Mendoj se mund të të vlejë shumë në këto momente, për të punuar me disa nga gjërat që të shqetësojnë dhe për t’u ndjerë më mirë. Më shkruaj sërish sa herë të kesh nevojë.
Përzemërsisht,
Lediona