Tae 30.09.2019
Pershendetje. Jam nje vajze 17 vjec. Une kete vit jam maturante. Prej pothuajse 2 vitesh kam qene teper e stresuar, dhe kam pasur mendime negative per jeten. Prekem shpejt dhe sapo me pyesin “Si je?” filloj e qaj. I mbaj shume gjerat perbrenda por me pas me problemin me te vogel prekem menjehere dhe filloj qaj pa pushim. Mendoj se kjo eshte ndikuar nga stresi i shkolles, duke qene se kam qene perhere nje nxenese shembullore, 2 vitet e fundit kam qene nen presion per te ruajtur notat, dhe per te marre ne fund bursen e shkolles, ne menyre qe ti behem ndihme familjes sime. 2 muajt e fundit kane qene me stresuesit per mua. Ne fillim te gushtit mami u semur dhe u shtrua ne Spitalin Neurokirurgjikal per 2 jave, dhe eshte akoma me regjim shtrati. Mua mu desh te behesha e forte per familjen, te kujdesesha per te dite e ante, te merrja ne dore familjen, babi bente 2 pune dhe ishte teper i lodhur ndersa motra e vogel ishte teper e merzitur per vete. Per dhkak te semundjes se mamit jemi futur edhe ne borxhe,prandaj edhe gjendja jone financiare eshte e keqe. Nje i afermi im u fut ne burg padrejtesisht dhe me eshte dashur ti behem ndihme edhe familjes se tij, duke u marre me avokatet dhe duke i ndenjur prane ne gjyqe dhe ne burg. Ne shkolle kam nderruar klasen dhe e kam shume te veshtire te krijoj shoqeri. 2 shoqet e mia te ngushta vuajne nga depresioni dhe kane tentuar vetevrasjen, dhe une nuk di si tu gjendem prane. Po ashtu nuk jam e sigurt se cfare dua te bej ne jete, se cfare karriere do te zgjedh. Ndjehem sikur jam e pavlere, sikur nuk kam rendesi, dhe sikur nuk jam e zonja per asgje. E kam menduar disa here vetevrasjen por asnjehere nuk kam vajtur aq larg sa ta tentoj sepse e di qe familja ime ka nevoje per mua, por brenda nuk kam asnje deshire te vazhdoj me shume, te jetoj me shume. Cfare duhet te bej qe te dal nga kjo gjendje e tille? Faleminderit paraprakisht.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje Tae,
E shoh që ke kaluar një periudhë të vështirë, ndaj të përgëzoj sinqerisht për ndihmën e madhe që i ke ofruar familjes dhe të afërmit tënd. Besoj se kaq shumë kërkesa (familja, shkolla, shoqëria) të kanë lodhur dhe sforcuar. E di që është e vështirë të kujdesesh për të tjerët, në një moshë kur ke nevojë për kujdes dhe shumë mbështetje për veten.
Është e vërtetë që familja jote ka shumë nevojë për ty, por edhe ti ke shumë nevojë për ata. A ndjehesh se mund të mbështetesh te dashuria për njëri-tjetrin në këtë periudhë? A mund të bisedosh me babin, a mund të mbështetesh tek ai?
Shpresoj që mami të jetë më mirë tani. Shoh që je treguar e fortë për ta përballuar gjendjen e saj dhe për t’i ofruar përkujdesjen tënde. Shumë pak vajza në moshën tënde mund t’ia dalin kaq mirë.
E kuptoj që edhe shkolla ka ngarkesën e vet. Kërko ndihmë dhe mbështetje nga mësuesit dhe mësueset. Ata do ta kuptojnë gjendjen tënde, nëse ti flet dhe u tregon që po kalon një periudhë të vështirë dhe që ke nevojë për mbështetje. Fol me psikologen e shkollës, me miq dhe mikesha, që mund të të ndihmojnë me mësimet, por edhe me çështjet e tjera që ke renditur. Është shumë e rëndësishme që ta shkarkosh sadopak ngarkesën e madhe që ke marrë mbi supe. Lësho një peshë të kësaj ngarkese tek të tjerët, pasi është shumë e rëndë për ty. Nuk mund të kujdesesh për kaq shumë gjëra njëkohësisht. Të rriturit kujdesen më shumë për më të vegjlit dhe jo më të vegjlit për të rriturit.
E kuptoj që ndihesh aq e lodhur dhe e mërzitur sa ke menduar vetëvrasjen, por kupto se ka zgjidhje të tjera për situatën tënde. Kërko ndihmë! Kemi një listë ekspertësh dhe një numër shërbimesh të ndihmës te faqja të cilët do të të ndihmojnë për ta përballuar sa më mirë ngarkesën dhe për t’u fuqizuar.
E di që nuk është e lehtë të ruash ekuilibrin, por mendo pak për gjërat që kanë më shumë rëndësi për ty. Cilat janë këto gjëra? Ke një familje, ke shkollën, ke qenë nxënëse shembullore, dëshiron ta fitosh me bursë. Ulu dhe shkruaj një plan: çfarë dhe kush mund të të ndihmojë për ta lehtësuar ngarkesën që ke mbi shpatulla? Si mund ta ndihmosh veten për të arritur gjërat që do? Nëse ndjen se ka shumë pengesa në rrugën tënde, mund t’i diskutojmë, në mënyrë që të bëjmë një plan së bashku.
Përsa u përket shoqeve, për të cilat ke shkruajtur që janë në depresion dhe që kanë tentuar vetëvrasjen, fol me to dhe thuaju që të kërkojnë ndihmë. Të flasin me familjarët apo të afërm të tjerë. Të kërkojnë ndihmë te një psikolog ose psikoterapist. Jeta është shumë e çmuar dhe problemet mund të zgjidhen në shumë mënyra të tjera.
Mbështetu te të rriturit mbështetës në familjen dhe shoqërinë tënde, në fis, në shkollë dhe kërko ndihmën e tyre. Mbështetu te ne për çdo gjë që të kesh nevojë.
Jemi këtu për ty dhe nuk je aspak vetëm në këtë që po përjeton.
Përzemërsisht,
Lediona