A 05.06.2024
Si mund te dale nga nje gjendje e rendomte psikologjike e cila perseritet me periudha, pra nuk eshte e vazhdueshme? Here pas here kam mendime vetevrasje. Kam nje maredhenie shume te veshtire me familjen si edhe shoqerine. Ndihem shum vetem.
Ju lutemi që komentet tuaja të jenë mbështetëse dhe jo gjykuese ndaj të tjerëve. Faqja administrohet, ndaj komentet postohen vetëm pas aprovimit nga administratori.
Përshëndetje e dashur dhe faleminderit që na ke shkruar.
Së pari, më vjen shumë keq që po përjeton një situatë të vështirë. Është e rëndësishme të dish që nuk je vetëm dhe ka mënyra për të marrë ndihmë dhe për të përmirësuar situatën tënde.
Duket sikur gjendesh në një miks ndjenjash, mendimesh e përjetimesh, të cilave nuk po u jep dot një shpjegim dhe po të vështirëson përballjen me to. Mendimet suicidale (të vetëvrasjes) dhe ndjenjat e vetmisë mund të vijnë nga arsye të ndryshme që unë do doja të më shkruaje më tepër pas një informacioni të përgjithshëm që po mundohem të jap më poshtë.
Duke marrë parasysh frekuencën e këtyre simptomave, mendimet suicidale dhe ndjenjat e vetmisë mund të jenë shpesh simptoma të ankthit, depresionit – i cili mund të jetë edhe episodik apo për shkak të cështjeve familjare dhe sociale. Ankthi mund të shkaktojë ndjenja të izolimit dhe të pamundësisë për të përballuar situatat sociale dhe kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet me familjen dhe shoqërinë. Episodet depresive gjithashtu mund të përbëhen në thelb nga këto dy karakteristika dhe ai mund të jetë episodik, që do të thotë se mund të aktivizohet dhe jo me periudha dhe është një vështirësi serioze që ndikon në mënyrën se si ndihemi, mendojmë dhe veprojmë. Marrëdhëniet e vështira me familjen dhe shoqërinë, gjithashtu mund të përkeqësojnë ndjenjat e vetmisë dhe të izolimit. Konfliktet, mungesa e mbështetjes emocionale dhe keqkuptimet mund të jenë faktorë që kontribuojnë në këtë gjendje.
Këshilla ime e parë në këtë rast do të ishte të krijoje mundësinë të kërkoje ndihmë profesionale. Më pëlqen reagimi yt për ti dhënë ndihmë vetes, prandaj ndjej se ka forcë për t’ja dalë dhe kapërcyer këtë moment. Konsideroje të lutem të kontaktosh një psikolog ose psikiatër. Një profesionist i shëndetit mendor mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë gjendjen tënde dhe të të ofrojë strategji për ta përballuar atë. Seancat terapeutike, kombinuar shpesherë me forma të tjera trajtimi mund të jenë shumë të efektshme.
Edhe pse mund të duket e vështirë, përpiqu të flasësh me dikë që i beson për atë që po përjeton. Mund të jetë një mik, një anëtar i familjes ose kushdo që ti ndjen të afërt. Mund të jetë një dritare që mund të udhëzojë drejt një rruge të re, të panjohur e të mirë për ty.
Përpiqu të angazhohesh në aktivitete që të sjellin kënaqësi dhe relaksim. Kjo mund të përfshijë sportin, artin, muzikën ose çdo gjë tjetër që të pëlqen.
Mbaj një rutinë të rregullt që përfshin gjumë të mjaftueshëm, ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik. Këto mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme mendore.
Praktiko teknikat e menaxhimit të stresit: Teknikat si meditimi, frymëmarrja e thellë, yoga ose mbajtja e një ditari mund të ndihmojnë në reduktimin e stresit dhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Shkruaj mendimet dhe ndjenjat e tua. Kjo mund të të ndihmojë të kuptosh më mirë gjendjen tënde emocionale dhe të identifikosh shkaqet që kontribuojnë te ajo.
Konsidero përfshirjen në grupe mbështetëse: Ka shumë grupe mbështetëse për njerëzit që përjetojnë gjendje të ngjashme. Këto grupe mund të ofrojnë një ndjenjë komuniteti dhe të ndihmojnë të ndash përvojat e tua me njerëz që e kuptojnë çfarë po kalon.
Nëse nuk ke mundësi të takohesh fizikisht me një profesionist, shiko mundësitë për terapinë online, e cila është bërë shumë e përhapur dhe e pranuar kohët e fundit. Për këtë, mund ti referohesh faqeve zyrtare të organizatave të ndryshme, ashtu sikurse edhe faqes sonë për të krijuar kontaktet që ty do të vlenin.
Gjithashtu, unë kam dëshirë t’ju ftoja të jeni pjesë e chat-it online me profesionistë që zhvillohet nga faqja jonë të cilin e gjeni të postuar në instagramin tonë (nukjevetem.al & nukjevet) për ditët dhe kohën kur ofrohet.
Ndërmarrja e hapave për të kërkuar ndihmë dhe për të ndryshuar situatën tënde është një shenjë e forcës dhe kurajës. Ndjenja e vetmisë dhe mendimet suicidale janë simptoma serioze që kërkojnë vëmendje të menjëhershme nga ana jote. Nuk je vetëm dhe ka njerëz dhe burime plot që mund të të ndihmojnë të kalosh këtë periudhë të vështirë.
Të falenderoj nga zemra që ndave me ne problemin tënd dhe po të pres të më shkruash më tej.
Uarda